Emergjencat Civile kanë bërë të ditur me anë të një njoftimi për shtyp, situatën e masave për shkak të zjarreve deri në orën 15:00 të ditës së mërkurë.

Emergjencat Civile theksojnë se, “rreziku i zjarreve vijon të mbetet i vazhdueshëm në të gjithë vendin për shkak të temperaturave të larta. Përgjatë orëve të fundit ka pasur 7 vatra zjarri në pyje në qarqet Shkodër, Fier, Berat, Dibër, Durrës dhe Korçë. Shërbimet zjarrfikëse kanë ndërhyrë me gjithë vështirësitë e terrenit.

“Në Qarkun e Shkodrës, në fshatin Oten, Shkodër në malin e Kakariqit ka rënë zjarr në një sipërfaqe të madhe me pyje dhe shkurre. Në ndihmë të zjarrfikësve, të cilat po punojnë me mjete rrethanore për të shuar flakët janë nisur edhe 20 forca ushtarake”, theksojnë EC.

Në Qarkun e Fierit, sipas EC-së, “në fshatin Vadhiz, zjarri ka përfshirë një sipërfaqe shkurre dhe ullishte. Në ndihmë të zjarrfikësve të Fierit janë nisur edhe 20 forca të FNSH-së. Në fshatin Ferras, Fier një sipërfaqe me shkurre u përfshi nga flakët të cilat të favorizuara nga era po rrezikonin një banesë. Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve zjarri është shuar”.

“Në Qarkun e Beratit, vatra e zjarrit në fshatin Bogovë, Çorovodë është riaktivizuar sërish. Forcat zjarrfikëse janë duke punuar me mjete rrethanore për të shuar flakët pasi terreni malor nuk lejon përdorimin e automjeteve të zjarrfikëseve”, thuhet në njoftimin e EC-së.

EC shtojnë se, “në Qarkun e Dibrës, në fshatin Burgajet, Mat flakët kanë djegur një sipërfaqe prej 1 ha me dushk”. “Për shuarjen e flakëve janë angazhuar 10 forca zjarrfikëse, të cilat janë duke punuar me mjete rrethanore për shkak të terrenit malor”.

“Në Qarkun Durrës, në Njësinë Administrative Borizan, Krujë zjarri përfshiu një sipërfaqe me shkurre. Nga flakët rrezikoheshin edhe disa banesa, po falë ndërhyrjes së zjarrfikësve zjarri është vendosur nën kontroll dhe më pas është shuar”, theksojnë EC.

“Ndërsa në Qarkun e Korçës, në fshatin Zagorçan, Pogradec ka rënë zjarr në një zonë me shkurre dhe ferra. Si pasojë e flakëve është djegur një sipërfaqe prej 4 dynymësh”, theksojnë EC.

Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129, apo në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile në numrin 06941 10 198.