Të paktën 54 njerëz janë lënduar sot kur një tren u përplas në një shtyllë në fund të binareve në stacionin kryesor hekurudhor në qendrën e qytetit spanjoll Barcelonë.

Policia kumtoi se një person është lënduar rëndë, ndërsa 19 mes të cilëve edhe makinisti, kanë marrë lëndime “më pak serioze”, ndërsa 34 udhëtarë kanë kaluar me lëndime të lehta.

Mes të lënduarve krahas spanjollëve, ka edhe shtetas të Francës dhe Rumanisë.

Shkaqet për fatkeqësinë tani për tani nuk janë kumtuar, por Bi-Bi-Si, duke iu referuar burimeve jozyrtare, njoftoi se makinistit me siguri nuk ka frenuar gjatë hyrjes së trenit në stacion. Treni ka hyrë në stacion me shpejtësi prej rreth 80 kilometra në orë.