Të paktën 14 persona e kanë humbur jetën, midis të cilëve edhe dy fëmijë, ndërsa 14 të tjerë janë lënduar në Republikën Ruse Tataristan, kur një autobus, në të cilin ndodhshin 28 udhëtarë, është përplasur me një kamion, njoftuan autoritetet ruse.

Aksidenti ka ndodhur 40 minuta pas mesnate sipas kohës moskoviane, ndërsa autobusi ka udhëtuar nga Samara në Izhevsk, njoftoi Komiteti hetues rus, transmetuan mediat franceze.

Sipas informatave të Komitetit hetues, është e mundur që shoferi i autobusit të jetë verbuar nga farovët e automjeteve që kanë lëvizur nga ana e rrugës.

Pas përplasjes me kamionin, autobusi është përmbysur dhe djegur, njoftoi Ministria rajonale e Punëve të Brendshme dhe shtoi se edhe shoferi i autobusit dhe shoferi i kamionit do të arrestohen.

Republika Ruse Tataristan shpalli ditë zie, transmeton TASS.

Në Rusi janë të shpeshta aksidentet e trafikut për shkak të rrugëve të këqija, vozitje në gjendje të alkoolizuar dhe mosrespektim të dispozitave të komunikacionit, theksojnë mediat franceze.