Delvina KËRLUKU

Nora Aliti u lind në mars të vitit 1984 në Tetovë. Është magjistër në menaxhimin e riskut dhe të sigurimeve, të kryer në Itali. Ndërsa, Fakultetin Ekonomik në Sofje. Eshtë zgjedhur nxënësja e gjeneratës në shkollën e mesme ‘Nova International Schools’, në Shkup. Për 6 vite ka punuar në PayPal në Irlandë, e angazhuar për menaxhimin e gamës së plotë të rreziqeve, të cilave u ekspozohet portofoli i produkteve ‘ProVT’ për procesimin e pagesave online. Nga viti 2014 deri në dhjetorë të vitit 2016 ka qenë deputete në Kuvendin e Maqedonisë dhe zv.kryetare e Komisionit për Çështje Evropiane. Për momentin është në apanazh.

KOHA: Pavarësisht kërkesave dhe premtimeve të vazhdueshme të partive politike që të rritet përfaqësimi i femrave në institucione, është ngritur çështja e mungesës së femrave, por edhe mos respektimi i barazisë gjinore – gjë që kërkohet edhe me Kushtetutë. Por, Ju jeni e përzgjedhura e BDI-së. Si arritët të inkuadroheni në strukturat politike dhe cili është kontributi juaj?

 ALITI: Barazia gjinore është një çështje e hapur në pothuajse çdo vend tjetër të botës demokratike. Fatkeqësisht, shoqëria si e tërë, gra, vajza, burra dhe djem bashkë, e paguajnë koston që sjell mungesa e barazisë gjinore. Kjo, sepse barazia dhe drejtësia gjinore nuk është thjesht matematikisht e logjikshme apo moralisht e drejtë, por bën sens ekonomik dhe politik. Me ndryshimet në kodin zgjedhor gjatë fund-vitit të 2015, kuota gjinore u rrit nga 30% në 40%. Ky ishte një hap i vogël suksesi, por radhitja e kandidatëve të gjinisë më pak të përfaqësuar në lista prodhoi një ulje të madhe të numrit të grave dhe vajzave shqiptare në parlament, nga 35 për qind në 15 për qind. Për të adresuar në mënyrë efektive pabarazinë gjinore, nevojitet ndryshim i mendësisë që konsideron dhe trajton barazinë gjinore si një çështje ekskluzive e grave dhe vajzave. Pas 10 viteve jashtë shtetit u ktheva në Maqedoni, dhe asaj kohe, kryetari i Komunës së Zhelinës, z.Fatmir Izairi, duke më njohur nga afër, dhe duke qenë një njeri që beson se bajraktarizmi në betejën për barazi gjinore i takon gjinisë më shumë të përfaqësuar, më bëri ftesë t’i bashkëngjitëm degës së BDI-së, në Zhelinë. Ky angazhim i tij ka prodhuar rezultate dhe sot nënvizoj me krenari se shumë pozita, si në Komunë ashtu edhe në strukturat e degës, udhëhiqen nga gratë dhe vajzat, si shefi i kabinetit të kryetarit të Komunës, sekretari i Komunës, kryetarja e këshillit komunal, kryetarja e forumit rinor si dhe deputete në përbërjen e kaluar parlamentare. Sa herë e sjell rasti të flas për fillimet e mia të angazhimit aktiv në politikë, nuk mund të mos e përmend mirënjohjen time ndaj z.Izairit për besimin që nuk ma kurseu në asnjë ditë të vështirë. Vendimin për t’u kandiduar fillimisht e mora jo pa frikë, por me të gjithë ndjenjën e përgjegjshmërisë sime. Më pas, kur u zgjodha deputete, di që e kam bërë atë punë çdo ditë me shumë përkushtim. Për një vit, në mungesë të kryetares së Komisionit për Çështje Evropiane, si nënkryetare kam drejtuar punën e atij komisioni. Nuk kam tendenca për t’u zhytur në nivele të vetpërkëdhelisë sa për të thënë se atë që kam bërë unë se ka bërë njeri, e as për të bërë modesten e tepruar. Jam komode dhe e kënaqur me punën që kam bërë në rrethana të kohës. Qoftë duke iniciuar dialog përmes organizimit të debateve publike, qoftë duke iniciuar mbledhje të përbashkëta me komisione tjera, me të cilat kishim të njëjtat çështje për shqyrtim, një praktikë jo shumë e dëshiruar dhe praktikuar në parlament, por që për mua, duke qenë ekonomiste, më shumë rëndësi kanë efikasiteti dhe efektiviteti se sa marketingu mediatik, qoftë duke punuar për arritje të konsensusit si fitore e arsyes edhe me ata pak deputet të opozitës në kushte të bojkotit parlamentar nga ana e koalicionit më të madh opozitarë. Kam investuar edhe shumë orë në motivimin e administratës, stafit të komisionit, dhe për të ju dhënë mirënjohjen e merituar por rrallë të njohur për kontributin e tyre.

KOHA: Znj. Aliti, jeni e bija e ish kryetarit të PPD-së, Abdurrahman Aliti, një ndër figurat më të njohura politike shqiptare para vitit 2001. Çfarë do të thotë ky emër për familjen tuaj dhe për shoqërinë tonë. Si ishte ai në familje dhe çfarë e dallonte nga politikanët e tjerë?

ALITI: Abdurrahman Aliti si emër mund të ketë domethënie të ndryshme për shumë njerëz. Politikan, lider, deputet, jurist, ambasador, burrështeti etj, por për ne në familje, ai mbi të gjitha ishte baba, bashkëshort, gjysh. Për fatin tij të keq, ai vet është rritur pa baba. Në fakt, ai nuk arriti të njoh kurrë të atin, meqë gjyshi im është vrarë në luftë kur gjyshja ime ka qenë shtatzënë me babain. Ndoshta edhe për këtë arsye, ai ishte një baba i shkëlqyer që na rriti me shumë dashuri, përkushtim dhe kujdes të jashtëzakonshëm. Duke qenë më e vogla nga tre fëmijët unë isha e llastuara e babait. Në familje, ishte nëna ajo që bënte disiplinimin e fëmijëve, por jo rrallë edhe babai na ndëshkonte me fjalë dhe shikim për gabimet. Fjala e tij dhe ai shikim karakteristik, që akoma dhe sot mbetet i ngulitur në memorien time, të rëndonte më shumë se çdo ndëshkim tjetër. Edhe pse ai nuk ishte njeriu i parë i afërt përmes të cilit njoha vdekjen, sepse kam humbur gjyshet dhe xhaxhain, vdekja e tij më tronditi dhe ndryshoi çdo perceptim mbi jetën. Mbi të gjitha, mësova se si të bashkëjetoj në paqe me dhimbjen. Vlerësimi im për të si politikan, natyrisht nuk mund të mos jetë i painfluencuar, por besoj se më shumë se ç’mund ta them unë, është koha ajo që dëshmon urtësinë dhe largpamësinë e tij dhe se vizioni i tij ishte i drejtë. Një politikan i rrallë, ndonjëherë edhe i keqkuptuar, por gjithmonë konzistent në qëndrimet e tij, pavarësisht nga pozicioni që fliste. Gjithashtu kishte guximin t’i shpreh qëndrimet e tij qysh në regjimin e ish Jugosllavisë, për të cilën arsye u diferencua në vitin 1987/1988. Kujtoj se gjatë periudhës së shtetformësisë dhe shtetndërtimit të Maqedonisë, deklaronte se Maqedonia është shtet i imi, që nga disa shqiptar merrej si tradhti, derisa në parlament bënte betejën për një kushtetutë që do njihte shqiptarët për atë që ishin e vazhdojnë të jenë sot, popull shtetformues, duke paralajmëruar ata që kishin fuqinë e mbivotimit se nëse kushtetutën nuk e bëjnë në përputhje me realitetin, por do të punojnë për të ndryshuar realitetin që t’i përputhet kushtetutës, do të vij dita kur ata shqiptar që janë fëmijë sot, do të marrin armët për të luftuar kushtetutën që na diskriminon. Ashtu edhe u bë. Ai luajti një rol shumë të rëndësishëm edhe gjatë vitit dhe ndodhive të 2001. Ishte i pari që përdori termin “kryengritje e armatosur”, derisa disa të tjerë i quanin terrorist dhe lobonin në Tiranën zyrtare që ajo të marrë përsipër që bashkë me partitë shqiptare në Maqedoni t’i bëj thirrje UÇK-së që të tërhiqet. Fal refuzimit të tij, kjo gjë dhe nuk ndodhi. Duke qenë i bindur se është me të drejtën, ai ishte në paqe me vetveten dhe me të gjithë ata që e kundërshtonin, i mirëkuptonte limitet njerëzore dhe të gjithë i shihte si miq, e që për mua mbetet një shembull shumë sfidues për tu ndjekur. Vërtetë, ai ishte një njeri i rrallë, një mendje brilante që jetoi jashtë kohës që lindi. Unë vërtetë nuk jam aq e zonja me fjalë për t’i dhënë përshkrimin që meriton.

 

KOHA: Derisa rritemi, jemi në hijen e babait dhe nënës. Para nesh është zëri i babit dhe nënës për të drejtat e fëmijës. Ju keni arritur ëndrrat tuaja në krah të prindërve apo me forcën tuaj?

ALITI: Unë, motra dhe vëllau e kemi pasur rreptësishtë të ndaluar të thirremi në emrin e babait për të arritur lehtësime apo beneficione të çfarë do lloji. Ngase jam rritur në këtë frymë, kjo qasje mbetet normalitet për mua. Por, edhe përkundër kësaj, për mua, forma më e urryer e mosmirënjohjes është ajo e fëmijëve kundrejt prindërve. Unë kam parë sakrificën që mamaja dhe babai im kanë bërë çdo ditë për të më rritur mua, motrën dhe vëllaun, me bindjen se shkolla është ajo që hap dyert e jetës. Mamaja ime, duke qenë se ajo menaxhonte me financat e shtëpisë, dhe që ishte dorështrënguar për të tjera gjëra që mund t’ia kërkonim, as në një rast të vetëm nuk ka thënë jo për kërkesat për të blerë libra apo për kurse të ndryshme. Çdo gjë që kam arritur deri më sot, por edhe çdo gjë që mund të bëj në të ardhmen është fal investimit të tyre për të më ofruar mundësinë për shkollim të mirë. Çdo arritje e imja mban vulën e sakrificës së tyre. Prandaj, prindërit më kanë shërbyer dhe vijojnë të shërbejnë si motivim për mua akoma më shumë tani që jam nënë vet e një djali gati 9 vjeçar.

 

KOHA: Fëmijëria ka gjurmë. Në kujtimet e saj na paraqitet shtëpia e vjetër, oborri, fushat, lagja, me plot shokë e shoqe, shkolla, pra..?

ALITI: Nëna dhe babai im janë nga Zhelina, por që pas martesës të dy kanë jetuar në Tetovë ku edhe unë linda dhe u rrita. Gjyshi im është nga Cerova dhe, edhe pse babai është rritur në Zhelinë, ai konsideronte Cerovën si fshati i origjinës së tij. Këtë ndjesi kishim edhe ne fëmijët. Midis shumë ngjarjeve kujtoj se çdo fundjavë ne e kalonim në Zhelinë. Shumë të shpeshta ishin daljet në natyrë, në piknik. Jam me fat që kam pasur një fëmijëri të bukur, me kujtime kryesisht pozitive. Nga kjo distancë kohore i kuptoj edhe të papriturat dhe vështirësitë që kanë kaluar prindërit e mi, por ata kanë pasur sukses që vështirësitë e tyre të ndryshme të mos reflektojnë edhe te ne fëmijët, madje të mos jemi as në dijeni për to.

KOHA: Përgjegjësia jonë ndaj vendit është e pamohueshme: do vuajmë me vuajtjet e vendit, do gëzojmë me gëzimet e tij?

ALITI: Është kjo një thënie e modifikuar, por shumë e bukur e intelektualit të papërsëritshëm, të madhit Faik Konica, e që gjithmonë më kujton një thënie tjetër të rilindësit Mit’hat Frashëri: ‘Njerëzit e një kombi janë solidarë. E mira dhe lumturia jote, janë dhe të miat. Fatkeqësia jote është dhe për mua. Nderi yt më nderon edhe mua dhe turpi yt më nxin edhe faqen time’. Këto thënie janë shumë dimensionale dhe të tilla që nuk i zbeh dot koha. Në konotacionin e Maqedonisë tonë multietnike dhe multikonfesionale mund të thuhet se të mirën, të keqen, nderin dhe turpin i ndajmë të gjithë qytetarët bashkë.

 

KOHA: Përmirësimi ekonomik është nevoja më e ngutshme për vendin tonë. Është pra një detyrë urgjente që interesat ekonomike të Maqedonisë t’i paraprijnë çdo vlerësimi të karakterit politik?

ALITI: Anketa e fundit e Institutit Republikan Amerikan IRI, nxjerr çështjet e zhvillimit ekonomik, rritjes së standardit jetësor dhe zvogëlimit të papunësisë, si shqetësime kryesore të qytetarëve. Por nëse reformave ekonomike ju qasemi si qëllim në vetvete dhe si prioritete të izoluara, kam bindjen se do të krijojmë kundërefekte. Zhvillimi ekonomik është i mundur vetëm nëse funksionon shteti i së drejtës. Nuk gjen dot investitorë, as vendorë e as të huaj, që kanë gatishmëri të investojnë aty, në ato shtete, ku organet e drejtësisë qëndrojnë si fasadë demokratike, por në thelb nuk funksionojnë. Injorimi pa fund i kërkesave legjitime të shqiptarëve, si për barazi gjuhësore, zhvillim të barabartë rajonal, decentralizim fiskal apo ndarje të drejtë të buxhetit, do të krijojë situata të tensionuara, të afta për të shpërthyer në çdo kohë. Jo rastësisht thuhet se rruga e Maqedonisë për në Bruksel kalon përmes Ohrit. Vetëm një zbatim i Marrëveshjes së Ohrit, në germë dhe në frymë, garanton stabilitet dhe prosperitet. Integrimi në NATO dhe BE janë objektiva strategjike për të cilat ekziston konsensus i gjerë shoqëror, por integrimin nuk duhet keqinterpretuar. Një demokraci e fortë dhe funksionuese, sundimi i ligjit, marrëdhënie të mira ndëretnike, një sistem gjyqësorë i pavarur, i përgjegjshëm dhe funksional, një ekonomi tregu funksionale, janë parakushte për integrimin dhe jo një përfitim prej anëtarsimit. Prandaj, në vlerësimin tim, janë shumë çështje që kërkojnë trajtim urgjent dhe paralel, jo duke bërë zjarrfikësin, por duke krijuar strategji dhe masa kundër zjarrit.

 

KOHA: Sa e vërtetë është kjo thënie: Qeveria nuk mund t’i bëjë njerëzit më të pasur, por ama mund t’i bëjë ata më të varfër?

ALITI: Një thënie kjo e ekonomistit të Shkollës austriake, mbrojtësit të kapitalizmit dhe liberalizmit, Ludwig von Mises. Ai këtë e shpjegon se kur qeveria harxhon para për projekte shoqërore apo ekonomike, atë e financon qoftë duke rritur taksat, qoftë duke huazuar e në këtë mënyrë limituar fondet në dispozicion për sektorin privat, qoftë duke rritur ofertën monetare, e që në të tre rastet në suaza afatgjate i bën njerëzit më të varfër. Një kundërshtar i fortë i socializmit, i cili paralajmëronte dështimin e pashmangshëm të atij sistemi për shkak të mungesës së rregullimit të çmimeve nëpërmjet tregut. Kundërshtimi i tij i socializmit shihet shumë bukur në një përshkrim që ai bën: ‘Një njeri që zgjedh midis një gote qumështi dhe një gote me një solucion të cianidit të kaliumit nuk zgjedh midis dy pijeve; Ai zgjedh midis jetës dhe vdekjes. Një shoqëri që zgjedh mes kapitalizmit dhe socializmit nuk zgjedh midis dy sistemeve sociale; Zgjedh midis bashkëpunimit social dhe shpërbërjes së shoqërisë’. Unë besoj se intervenime të justifikuara të qeverive që në fokus kanë rritjen ekonomike dhe jo thjeshtë rishpërndarjen e të ardhurave kontribuojnë në mirëqenien individuale. Kundërshtarë të këtij mendimi të Von Mises, potencojnë edhe faktorë jo ekonomik si liria politike, fetare, e të shprehurit etj si aspekte të pasurisë njerëzore duke e përkufizuar pasurinë përtej kufijve monetarë.

 

KOHA: Znj.Aliti, ju keni marrë pjesë në disa aktivitetet në Kuvend, cili është funksionimi i këtij institucioni?

ALITI: Unë kam qenë deputete që nga prilli i vitit 2014 deri në dhjetor të vitit 2016. Një periudhë që karakterizohet me zhvillime të vrullshme dhe kriza nga më të ndryshmet, si kriza politike, ajo e sigurisë dhe stabilitetit, institucionale dhe madje më vonë edhe kushtetuese. Por edhe pa llogaritur këto zhvillime dhe pasojat që prodhuan, dhe këtu kam parasysh shumë situata, bile më shumë se sa mund të sjell ndërmend sot, kur deputetët ishin aty vetëm për të tundur kokat në aprovim dhe miratim të vendimeve veç më të marra jashtë mureve të parlamentit, si në procesin e Përzhinës, por jo vetëm, kriza mbizotëruese, ajo që në gjykimin tim prodhoi dhe krizat e tjera, e që nuk lindi në vitin 2014, ishte dhe vazhdon të jetë kriza e demokracisë. Ai ishte një parlament ku roli i opozitës nuk ndjehej, jo vetëm për faktin se kishim një bojkot të kuvendit nga ana e opozitës maqedonase dhe një opozitë të zbehtë në kampusin shqiptar, por edhe sepse shumica parlamentare e asaj kohe BDI-VMRO kishin numrat edhe për ndryshime ligjore që kërkonin shumicë të kualifikuar, apo konsensus të gjerë politik. Një strukturim i tillë i parlamentit që i jep komoditetin e numrave shumicës parlamentare edhe për çështje madhore, cenon demokracinë parlamentare, sepse rrezikon anashkalimin e opozitës së vendit. E kam menduar shpesh, por është hera e parë që e them me zë se ai parlament ishte një parlament ku kishte më shumë patetikë se sa politikë. Më vjen shumë keq të dal në këtë konkluzion. Zgjedhjet e 11 dhjetorit te vitit të shkuar kanë prodhuar një realitet të ri politik që e bën të domosdoshëm dialogun pozitë-opozitë. Dua të jem optimiste se roli i parlamentit, si në aspektin e ligjvënies ashtu edhe në aspektin e mbikëqyrjes dhe kontrollit parlamentar, do të forcohet për t’u ngritur në lartësinë e detyrës dhe përgjegjësisë që i parasheh kushtetuta, por kam shqetësime se kjo megjithatë nuk do të ndodh në një të ardhme që shihet në horizont. Mbase ka shumë arsye, do të veçoja tre: e para, partitë shqiptare opozitare, me qëndrimet dhe veprimet politike të kohës së fundit, e kanë reduktuar rolin e opozitës parlamentare në konceptet e shoqërisë civile, ndërsa opozita maqedonase ka një qasje destruktive, e dyta, debati parlamentar edhe në këtë përbërje vazhdon të jetë me shumë vulgaritet të panevojshëm dhe të dëmshëm, dhe e treta, për sa kohë sistemi zgjedhor dhe niveli i demokracisë së brendshme në partitë politike pa përjashtim nuk ndryshon, listat e mbyllura do të prodhojnë deputet që janë më shumë të partisë se sa të qytetarëve. Babai im thoshte se: “Maqedonia është shumë pak shtet demokratik dhe aspak shtet i së drejtës”. Për fatin tonë të keq, ky konstatim qëndron i vërtetë sot po aq sa edhe në kohën kur është thënë, në fillimet e viteve të ‘90.

KOHA: A kanë nostalgji miqtë e mikeshat, familjarët, që kur jeni angazhuar me politikë dhe shkencë, duke pasur parasysh se të dyja kërkojnë angazhim dhe harxhojnë kohë të madhe?

ALITI: Sot jeta është shumë dinamike dhe mbajtja në balancë e raportit punë-jetë është sfidë jo vetëm për ata që janë në mënyrë aktive të angazhuar në politikë, por për gjithsecilin që punon. Nuk e kam ilaçin që zgjedh këtë sfidë, por di të shkëputem nga çdo gjë edhe për t’i dhuruar vetes kohë për relaks dhe për miq e familjarë.

KOHA: Çdo ditë ne duhet të dëgjojmë të paktën një këngë, të lexojmë një poezi të bukur, të shohim një pikturë të arrirë, dhe, nëse është e mundur, të flasim sa më pak fjalë. Si është një ditë e juaj?

ALITI: Çdo ditë e imja fillon me ritualin e pirjes së kafesë së mëngjesit në shtëpi, zakonisht me nënën, e cila është shumë e dashur për nga natyra, por njëkohësisht një njeri që nuk ta bën qejfin kollaj dhe është personi që ka më shumë vërejtje dhe kritika për çdo gjë që bëj. Po të na sheh e dëgjoj njeri, do të thotë se nuk është pirje e kafesë, por një ligjëratë e llojit të vet, por për mua janë leksione të çmuara që më shërbejnë për të njohur gabimet dhe përmirësuar ato. Në përgjithësi, kjo është një periudhë kur kam shumë më pak angazhime dhe meqë librat janë dashuria ime konstante, kaloj shumë kohë duke lexuar. Sapo e përfundova librin ‘I besojmë mosbesimit’ nga eksperti i politikës ballkanike, sidomos i marrëdhënieve të Rusisë me Perëndimin, Ivan Krastev.

Ashtu siç e thotë vet autori, ky libër është një reflektim që duhet lexuar për kënaqësinë e çështjeve që ngre, krizën e demokracisë sot në botë, jo për dobinë e përgjigjeve të sakta që ofron. Këto ditë po lexoj librin ‘Pas Europës’, nga po i njëjti autor që doli në shitje në Maj të këtij viti, e që është një refleksion i autorit mbi të ardhmen e Bashkimit Evropian dhe mungesën e mundshme të një të ardhme. Kaloj kohë edhe me veten dhe kjo më pëlqen ta bëj. Këtë kohë nuk e perceptoj si një kohë vetmie por si kohë për të reflektuar, dhe si një investim në një marrëdhënie të rëndësishme në jetën tonë, marrëdhënia që kemi me veten. Nga ky këndvështrim, jam me fat që tani për tani kam luksin e kohës për ta bërë. Natyrisht, kohën më të madhe ia kushtoj djalit, Fatonit, tani që është në pushime nga shkolla. Të flasësh, si koncept në vetvete, nuk është gjë e keqe, për sa kohë, ashtu siç lutej Konica, të kemi forcën të mbajmë gojën mbyllur, kur s’kemi gjë për të thënë.