Pas deklaratës së drejtorit të Komitetit Evropian të Energjisë, Janez Kopaç, se tarifën e lirë të energjisë elektrike duhet ta shfrytëzojnë vetëm rastet sociale, edhe atë në periudhën dyvjeçare, TVM2 doli në terren për të marrë mendimin e qytetarëve nëse tarifa e lirë duhet të vlejë për të gjithë qytetarët apo jo.
Qytetarët e anketuar nga TVM2 thonë se tarifa e lirë e energjisë  duhet të vlejë për të gjithë qytetarët e vendit, pa dallime. Sipas tyre, shumë familje të varfra, që mezi mbijetojnë, nuk janë evidentuar si raste sociale. Edhe familjet me rroga të vogla nuk ia dalin dot t’i paguajnë faturat e larta të energjisë elektrike dhe shpenzimet e tjera.
“Me qenë për të gjithë, sepse shikoni shumica e shqiptarëve nuk janë në punë, unë po flas për popullatën time, ata janë të varfër. Të gjithë ne e dimë se si është komuna e Çairit dhe është mirë që të realizohet ky projekt. Unë kam 9 mijë denarë pension, çfarë mund të bëj unë me 9.000 denarë”,- u shpreh një qytetar.
“Unë mendoj se tarifa e lirë për rrymë elektrike duhet të ketë për të gjithë qytetarët, pa dallim. Tani janë shumë persona pa punë, por ka edhe prej atyre që marrin rroga të ulëta, prandaj mendoj se rryma elektrike duhet të lirohet për të gjithë”,– tha një qytetar.
“Po mirë nëse është për rastet sociale, mirë është, por ka edhe qytetarë që kanë të ardhura të ulëta. Edhe ata duhet të kenë beneficione prej rrymës së lirë”,- theksoi një qytetar.
“Duhet të ketë për të gjithë. Ka familje të varfra që s’kanë, rrogat e ulëta 9.000 denarë, 10.000 denarë, çfarë mund të bëjnë me ato rroga”,– u shpreh një qytetar.
Tarifa e lirë e energjisë elektrike ishte një nga premtimet kyçe të LSDM-së gjatë fushatës parazgjedhore. Mbetet të shihet se a do të realizohet në tërësi ky premtim i partisë në pushtet apo jo. /TVM2