Takimi i zhvilluar mbrëmë mes kreut të PDSH-së, Menduh Thaçi dhe atij të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami ka nxitur debate të ndryshme mes dy partive. Sidomos ky debat ka marrë përmasa të mëdha në radhët e Lëvizjes BESA, ku janë dhënë edhe komente negative, se përse Kasami është ulur në takim me Thaçin.

Por nga ana tjetër, në publikimin e Lëvizjes BESA për takimin thuhet se ai është mbajtur për çështje që kanë të bëjnë me interesin e shqiptarëve.

“Lëvizja BESA e udhëhequr nga kryetari Kasami gjithmonë ka qenë dhe do të jetë e interesuar të gjejë mënyrë dhe mekanizma për të gjetur rrugën më të mirë për artikulimin e interesit të shqiptarëve në Maqedoni”, njoftuan nga Lëvizja Besa.

Ky takim ka nxitur debate se bashkëpunimi mes këtyre partive a  daton para zgjedhjeve të dhjetorit të vitit të kaluar. Këtë e ndërlidhim me dokumentin që INA e publikon dhe që ishte nxjerrë edhe nga sekretari i përgjithshëm i PDSH, Azem Sadiki. Në këtë marrëveshje shkruhen pikat e bashkëpunimit, ku PDSH thuhet se do të mbrojë votat e kësaj partie, si dhe interesat e tjera që kanë të bëjnë me garë të barabartë zgjedhore, por edhe pika të tjera prioritare të bashkëpunimit.