Në Selanik sot pasdite do të mbahet takim trilateral i kryeminsitrave të Greqisë dhe të Bullgarisë, Aleksis Cipras dhe Bojko Borisov dhe të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Para Samitit trepalësh, paradite në Selanik u mbajt mbledhja e parë e Këshillit të lartë për bashkëpunim ndërmjet Greqisë dhe Serbisë, me të cilin kryeson kryeministri grek Cipras, ndërkaq në të cilin marrin pjesë edhe presidenti serb Vuçiq dhe ministra të qeverive të të dy vendeve.

Vizita e Vuçiqit në Selanik, siç lajmëroi Tanjug-u, filloi me takimin e tij bilateral me Cipras, ku u bë fjalë për raportet mes Athinës dhe Beogradit, për bashkëpunim të mëtutjeshëm ndërmjet dy shteteve, si dhe për gjendjen në rajonin e Ballkanit.

Pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të lartë greko-serb për bashkëpunim, është praparë mbajtja e ceremonisë së nënshkrimit të disa marrëveshjeve bilaterale nga ana e ministrave të të dy vendeve, ku do të marrin pjesë edhe Cipras edhe Vuçiq.

Pasdite, Ciprasit dhe Vuçiqit në Selanik do t’u bashkangjitet kryeminsitri bullgar Borisov, me çka do të mbahet takim i përbashkët i tre liderëve.

Është paraparë që në këtë takim të bëhet fjalë për tema lidhur me sigurinë dhe bashkëpunimin rajonal, marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe me disa çështje evropiane.