Kryetari i Akademisë së Shkencës dhe Artit në Maqedoni (ASHAM), Taki Fiti, në një intervistë për 24Vesti theksoi se institucioni që ai drejton do t’i mbrojë interesat kombëtare të shtetit.

 “ASHAM nuk do të mbetet indiferente dhe do ta tregojë qëndrimin e saj, kur edhe do ta sheh përmbajtjen e marrëveshjes për fqinjësi të mirë mes Bullgarisë dhe Maqedonisë. Ne nuk do të pranojmë asgjë që është nënçmuese për vlerat themelore, sidomos në çështjet e identitetit, gjuhës, kulturës, pasi këto çështje janë mision i ASHAM”, tha Fiti.

Gjatë ditëve të fundit OBRM-PDUKM-ja vazhdimisht ka akuzuar ASHAM-in për heshtje në lidhje me marrëveshjen të cilën e paralajmëroi Zoran Zaevi se do ta nënshkruaj me Bullgarinë.

Sipas informacioneve të fundit kjo marrëveshje është drejt finalizimit, ndërsa pritet që edhe së shpejti të ratifikohet nga parlamentet e dy shteteve./Telegrafi/