Prej një viti tashmë modelja e njohur Adrola Dushi është transferuar në Amerikë dhe ka filluar kontratat e njëpasnjëshme me kompanitë e modelingut.

Shumë prej emrave më të njohur të modës, të cilët i kishte pasur ëndërr, vetëm gjatë vitit të parë jo vetëm që i ka prekur dhe parë nga afër, por edhe ka preferuar të zgjedhë mes tyre. Me gjithë vështirësitë e fillimit dhe megjithëse ende në hapat e parë të një karriere ndërkombëtare si modele, Adrola është e lumtur që është larguar nga Shqipëria drejt vendit të mundësive. Sepse atje ka të gjithë familjen, por edhe sepse mund të vlerësohet më shumë e më mirë për punën që bën, – shkruan Class.

E ftuar sot në programin e pasdites “Rudina”, Adrola tha se vështirësitë nuk kanë qenë të pakta. Por më e madhja dhe më e papërballueshmja është mungesa e të birit 3-vjeçar, Troit. Ai jeton me prindërit e Adrolës, një orë larg Manhatanit ku Adrola jeton me modelen tjetër nga Shqipëria, Xhesika Berberi: “Është e vështirë, sepse më mungon shumë Troi. Në fillim nuk më zinte gjumi natën. Me keqardhje e them, por unë nuk jam më e preferuara e Troit… “ – tregon ajo duke shtuar se tashmë vogëlushi kërkon më shumë mamin dhe babin e saj sesa vetë atë.

Natyrisht, takimet janë të shpeshta, jo më shumë se një javë mund të rrinë pa e parë njëri-tjetrin, por Adrola rrëfen se shumë shpejt do që ta ketë të birin me vete në Manhatan, sepse ai tashmë po rritet dhe i ndien mungesën e saj: “Shihemi shumë shpesh, por nuk jam çdo natë më Troin, më mungon 24 orëshi me të…”

E gjithë familja e Adrolës është në Amerikë dhe ajo e ndien veten me fat që prindërit dhe dy vëllezërit kanë qenë mbështetja e saj më e madhe…. Edhe pse, në fillim, ata të dy nuk e kishin dashur motrën e vogël, madje e kishin urryer…Landi ishte i pranishëm në studion e “Rudina” enkas për t’i dërguar motrës një mesazh: “E mbaj mend shumë mirë kur linde ti, sa shumë të kam urryer, sepse doja të kisha një vëlla tjetër, por sot jam shumë krenar për ty….” – tha ai ndër të tjera.

Pas videos, Adrola e pati të vështirë t’i përmbante lotët. Landi dhe Adi janë pika e saj e dobët:

“Nuk ma merrte mendja kurrë që Landi të pranonte të bënte këtë gjë. Ju falënderoj shumë. Ata janë pika ime e dobët, pjesa e pandashme imja, shpresoj ta mbajnë kokën lart për mua një ditë”, – thotë ajo e përlotur duke kujtuar se fëmijëria me dy vëllezër ka qenë e jashtëzakonshme: “Nuk kanë qenë aspak të lumtur kur linda unë, por pastaj Landi dhe Adi ziheshin kush do më puthte i pari te këmba, më merrnin në krahë dhe më hidhnin, kush do më puthte i pari…. “ – thotë ajo mes lotësh duke shtuar se ndihet e bekuar për familjen dhe për mbështetjen e saj të madhe në çdo hap që i është dashur të bëjë.Tani që ka ardhur në Shqipëri, modelja kishte preferuar që të gjithë kohën ta kalonte në qetësi me të birin, por kureshtja e publikut për të është gjithmonë e madhe.

Global

Comments are closed.