Berat Gjimshiti është zyrtarisht pjesë e skuadrës së Beneventos në Sërinë A. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare i është bashkuar sot skuadrës së trajnerit Baroni, në formën e huazimit me të drejtë blerje nga zikaltrit e Atalantës.

Pas një sezoni mjaft pozitiv me Avelinon në Serinë B, ku ishte i huazuar, Gjimshiti do të nisë një tjetër aventurë të re, këtë radhë në Serinë A, me një skuadër që sapo është ngjitur në elitën e futbollit italian.

Edhe pse dje në mediat italiane u përfol se mbrojtësi shqiptar nuk bënte pjesë në listën e futbollistëve të grumbulluar për fazën përgatitore që Benevento do të zhvillojë në Sestola dhe Bruniko, ai ishte sot i pranishëm duke iu bashkuar skuadrës në nisje. Një surprizë kjo për tifozët verdhekuq të cilët, u lumturuan për këtë marrëveshje të arritur, shkruan panorama.

Nuk munguan as foto dhe autografet mes lojtarëve të Beneventos dhe tifozëve të cilët ishin mbledhur te stacioni i trenit për të përshëndetur skuadrën para nisjes për në fazën përgatitore.