Një biznesmen holandez u rrëmbye në plazhet e Spanjës nga një grup banditësh, të cilët u shfaqën si policë dhe sulmuan biznesmenin. Mediat spanjolle raportojnë se biznesmeni, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, u mbajt peng për 11 ditë nën ndikimin e drogërave të injektuara në trup.

Rrëmbyesit telefonuan gruan e biznesmenit dhe i kërkuan 1.5 milionë euro në këmbim të lirimit të tij. Në këtë moment, ndërhynë edhe agjentët e policisë të cilët u infiltruan gjatë takimit të gruas së biznesmenit me rrëmbyesit. Pas takimit, policia ndoqi autorët deri në një shtëpi në qytetin Toledo.

Agjentët u përgatitën për të ndërhyrë në banesën ku grabitësit mbanin peng biznesmenin holandez. Policia mundi ta lironte pengun dhe arrestoi në flagrancë 4 anëtarët e bandës. Biznesmeni u dërgua në spital dhe ishte “gjysmë i vetëdijshëm” kur u lirua, për shkak të ilaçeve që i kishin injektuar. Ai është me prejardhje serbo-kroate, ndërsa rrëmbyesit janë gjithashtu nga Evropa Lindore.  Policia sekuestroi edhe 3 makina që përdoreshin nga autorët, telefonat e tyre celularë dhe objekte të tjera.