Zgjedhjet lokale në Maqedoni që priten të mbahen në gjysmen e dytë të tetorit duket se kanë mobilizuar partitë politike shqiptare. Thuajse të gjitha partitë i kanë kapluar ethet dhe me të madhe janë duke bërë kalkulimet e fundit lidhur me atë se kë mund të kandidojnë dhe cili kandidat do të mund të kishte më shumë sukses për të fituar garën, që pritet të jetë shumë e ashpër në këto zgjedhje lokale. Duke marrë për bazë zgjedhjet e fundit parlamentare partitë shqiptare tashmë e kanë njëfarë pasqyre se ku realisht i kanë bastionet e tyre.
Zgjedhjet lokale pritet të sjellin edhe kombinatorika të ndryshme. Portali fol.mk mëson për një kombinatorikë të ngjashme në qytetin e Gostivarit, ku përveç kandidaturës së shpallur si të sigurtë të kryetarit aktual të komunës së Gostivarit z Nevzat Bejta, kandidaturën e tij pritet ta shpallë edhe ish ministri e arsimit Sulejman Rushiti, si një kandidat konsensual opozitarë. Rushiti edhe pse i larguar për një kohë nga politika, ai ka vazhduar të jetë prezent në debate të ndryshme dhe ka qenë një zë kritikues ndaj qeverisë BDI-VMRO. Përveç tjerash mësohet se z. Rushiti është në raporte të mira me faktorin ndërkombëtarë dhe ka një përkrahje të madhe si nga qytetarët e Gostivarit ashtu edhe nga rinia e këtij qyteti. Poashtu këto informacione i bënë edhe më të besueshme fakti se z. Rushiti është parë i afërt si me Ziadin Selën dhe strukturën e partive që përbëjnë Aleancën, poashtu edhe me eksponent të lartë të Lëvizjes Besa në Gostivar dhe në këtë rast nuk përjashtohet mundësia që të marrë edhe mbështetjen e LSDM-së .
Sa i përket komunës së Gostivarit, bazuar në rezultatin zgjedhor të zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 11 dhjetorit të vitit të kaluar si favorite për të fituar këtë komunë shihet Aleanca për Shqiptarët. Në rastin konkret me kandidaturën e mundshme të z. Rushiti nëse do të gëzonte mbeshtetjen Aleancës, po pse jo edhe të partive tjera opozitare fitorja e z Rushiti do të ishte e më se e sigurtë,
Megjithëse kandidaturat akoma nuk janë hedhur në sipërfaqe, në lojë për të parin e komunës së Gostivarit para do kohe u përfolën edhe sekretari gjeneral i LR PDSH-së z. Arben Taravari i njohur si një nga figurat më popullore në këtë qytet, tani ministër i Shëndetësisë si dhe Visar Ademi si kandidat i mundshëm i shoqrisë civile, por sipas të gjitha gjasave nuk do jenë pjesë e kësaj gare.
Sidoqoftë gara në Gostivar do të jetë e fuqishme jo vetëm për kryetarin e komunës , por edhe për këshilltarët komunal ku të gjitha partitë do të dalin me lista të veçanta këshilltarësh.