Qeveria do të kërkojë përgjegjësi nga të gjithë ata që kanë bërë lëshime në projektimin dhe realizimin e autostradave Kërçovë – Ohër dhe Demir Kapi- Smokvicë. Këtë për Alsat e konfirmoi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugarevski i cili shprehet se përderisa Qeveria e re kërkon zgjidhje për përmirësimin e gabimeve të garniturës së mëhershme, gjithashtu do të kërkojë përgjegjësi dhe gjoba për ata që kanë bërë projekte të këqija, për çka qytetarët duhet të paguajnë më shumë para nga shuma paraprake e planifikuar.

“Paralelisht me zgjidhjen e problemeve, është normale që të vërtetohet edhe përgjegjësia. Pa marrë parasysh a bëhet fjalë për pak apo shumë fonde, megjithatë bëhet fjalë për përgjegjësi të cilën njerëzit patjetër ta mbajnë, sepse nëse kjo kalon pa u dënuar, atëherë secili do të mendoj në periudhën e ardhshme ta veprojë të njëjtën. Do të kërkohet përgjegjësi, ashtu siç patjetër duhet gjetur zgjidhje”, deklaroi Goran Sugareski, ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Sugareski kërkoi nga drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, Aleksandar Stojanovski të mos ik, por t’i kompletojë dokumentet e nevojshme për vazhdimin e aksit nga Korridori 10, me çka do të mund të jepet leje për ndërtimin e kullës kontrolluese dhe zhvendosjen e largpërçuesit prej 400 kilovatëve. Sugareski shprehet i habitur se si Stojanoski ka heshtur për problemet, edhe pse i ka ditur dhe kanë qenë të nënvizuara në një pjesë të dokumenteve. Nga Ministria e Transportit paralajmërojnë se përveç zgjidhjes së akseve kontestuese, me kujdes po përgatitet terreni edhe për ndërtimin e autostradës Shkup- Bllacë në gjatësi prej 12,5 kilometra, me çka Maqedonia do të lidhej më mirë me Kosovën fqinje.

“Është dhënë rekomandim se duhet të bëhen punë plotësuese e që lidhen me standardet vendore dhe ndërkombëtare. Konkretisht bëhet përditësimi i projektit nga viti 2002 e që ka të bëjë me tërë trasenë, përfshirë edhe zhvendosjet e nevojshme që duhet të bëhen në këtë trase. Projektim të plotë të një tuneli ndërsa patjetër të ketë revidim të sigurisë së rrugës dhe përgatitje të elaboratit të ri për shpronësim”, u shpreh Goran Sugareski, ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Nga Ministria e Transportit thonë se nga prilli vitin e ardhshëm pritet të përfundojë dokumentacioni projektues. Sipas informacioneve fillestare, me përditësimin e projektit të vjetër besohet se në pjesë të caktuara do të duhet të zhvendoset traseja ekzistuese. Ky aks paralajmërohej me vite dhe assesi të përfundojë, edhe pse biznesi para çdo cikël zgjedhor dhe me të gjitha qeveritë e deritanishme, këtë autostradë e theksonte si prioritet. Alsat-M

T mobile In article [4]