Probleme në projektin dhe në pagesën e mjeteve që duhet t’i paguajë Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore janë ndeshur edhe gjatë ndërtimit të rrugës eksperte Prilep-Gradsko, kumtoi sot ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugareski.

Ai theksoi se bëhet fjalë për probleme të ngjashme me ato në autostradën Kërçovë – Ohër, ku momentalisht zhvillohen aktivitetet ndërtimore me intensitet minimal.

“Të dielën isha për vizitë në autostradën Kërçovë – Ohër ku punohet me intensitet minimal në pjesën e punëve betonike. Problemi me rrëshqitjen e dheut, që është paraqitur në rrugën Kërçovë – Presekë është serioz, kështu që kjo nuk mund të zgjidhet me ad hok zgjidhje”, theksoi ministri Sugareski gjatë takimit të sotëm të parë me përfaqësues të Odës të arkitektëve dhe inxhinierëve të autorizuar.

Ai paralajmëroi analizë serioze në të gjitha akset që ndërtohen në vend, sepse, siç tha, është evidente se në periudhën e kaluar ka pasur probleme serioze gjatë ndërtimit të rrugëve.

Për autostradën Kërçovë – Ohër, siç theksoi, me siguri do të duhet të paguhen mjete shtesë, sepse llogaria e bërë e fundit ka treguar se nëse gjithçka zhvillohet sipas të planifikuarës, nuk do të jetë nën 120 milionë euro.

Afati për ndërtimin e autostradës Kërçovë – Ohër është 31 janar të vitit 2018.