Persona nga Shqipëria punojnë në Strugë si kamerierë, banakiere apo kuzhinierë nëpër objekte hotelierike. Mungesa e stafit adekuat hotelierik përmbushet dhe me njerëz nga qytete të tjera të Maqedonisë të cilët vijnë gjatë sezonit turistik veror. Për këtë fenomen hotelierët flasin rrallë.

Një pjesë e hotelierëve thonë se njëra nga arsyet për këtë situatë janë pagat e ulëta, si dhe largimi i shumë të rinjve për të punuar në Gjermani dhe vende të tjera të Evropës Perëndimore.

Nga ajo që ka mbetur këtu tek ne është e vështirë që të gjendet staf profesional. Për të marrë një staf cilësor e kemi pasur paksa të vështirë. Ndër të tjerat, edhe pagat e ulëta janë një nga faktorët që ndikojnë në mungesën e stafit cilësor. Mund të supozoj se ka fluks të madh të punës nga jashtë, veçanërisht nga Shqipëria – 

Situata është e ngjashme edhe në Ohër. Hotelierët druajnë se do të vijë koha që vetë pronarët do të duhet t’u shërbejnë mysafirëve.

E ndjejmë mungesën dhe bëjmë disa përpjekje për të importuar stafe cilësore dhe ta zgjojmë vetëdijen tek faktorët tanë që sa të jetë e mundur më shumë të kemi staf më të kualifikuar. Numri i objekteve në Ohër është i theksuar, sidomos kur është sezoni vërehet qartë mungesa e tillë. Nuk është shumë larg që pronarët të fillojnë të punojnë – deklaroi Mihail Mishev- Shoqata e hotelierëve Ohër.

Nga policia e Ohrit për Alsat bëjnë të ditur se në tre muajt e fundit janë realizuar pesë kontrolle veprimi nëpër objekte hotelierike. Gjithsej 24 shtetasve të Shqipërisë që kanë punuar këtu, u është shqiptuar ndalesë për hyrje në Maqedoni, sepse janë kapur pa qëndrim të rregulluar me ligj dhe kanë hyrë jozyrtarisht në Maqedoni./alsat-m