Prokuroria Speciale i dorëzoi në gjykatë ankesat për mos-paraburgimin e ish kryeministrit Nikola Gruevskin dhe bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, Mile Janakievskin, Gordana Jankulovskën, Kiril Bozhinovskin dhe Martin Protugjerin. Bilanci i ankesave të dorëzuara është 30, pasi që Gjykata Penale nuk aprovoi asnjë paraburgim prej 18 kërkesave të Katica Janevës. Zyrtarisht deri sot në gjykatën e Apelit nuk ka mbërritur asnjë ankesë. Procedura rrjedh në atë mënyrë që, ndaj të gjitha ankesave të dorëzuara në Gjykatë, palët kundërshtuese kanë të drejtë të dorëzojnë ankesë shtesë. Nëse Prokuroria Speciale ankohet se pse gjykata nuk ka shqiptuar paraburgim, të drejtën e aknimimit e kanë edhe të akuzuarit. Nga Penalja sqaruan shkurtimisht se pasi të respektohen afatet për përgjigje ndaj ankesave, lëndët e kompletuara do t’i dorëzojnë në Gjykatën e Apelit, e cila më pas duhet të marrë vendim brenda 48 orëve. Avokati Zvonko Davidoviq konsideron se nuk duhet pasur pritshmëri të mëdha nga Gjykata e Apelit. Sipas tij, nuk do të ndryshojë dukshëm.

Kemi shumë lëndë ku pas përfundimit të procedurës së shkallës së parë, ishte shqiptuar arrest shtëpiak. Por, gjykata e Apelit pas ankimimit të prokurorisë, pas tre muajve arrest shtëpiak i cili nuk është shkelur, pa u dorëzuar vendim deri tek mbrojtja, mori vendim të cilin Ministria e brendshme e zbatoi menjëherë dhe i ktheu njerëzit menjëherë në paraburgim – tha avokati Zvonko Davidoviq.

Davidoviq konsideron se ekziston mundësia që gjykata e Apelit të pranojë ndonjë ankesë të PSP-së dhe në paraburgim të përfundoj ndonjë person që nuk është pjesë e kryesisë së VMRO DPMNE-së.

Kjo mund të ndodh shumë lehtë, për shkak se kjo ka qenë praktikë deri tani në gjyqësor. Duhet menjëherë t’i jepet fund kësaj, pa shikuar se kush në çfarë posti ka qenë dhe kujt i takon në aspekt partiak – u shpreh Davidoviq.

Gjykata Penale nuk pranoi asnjë kërkesë të Speciales për paraburgim. Janeva kërkoi në burgun e Shutkës të përfundojnë, Nikola Gruevski, Sasho Mijalkov si dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë, ish ministrat Gordana Jankuloska, Mile Janakieski dhe Elizabeta Kançeska- Milevska. Gjykata vendosi të mos ketë paraburgim as për sekretarët e përgjithshëm të Qeverisë, Martin Protugjer dhe Kiril Bozhinovski. Paraburgim s’ka as për gazetarin Dragan Pavloviq- Latas. Të gjithë këta mbetën pa pasaportë maqedonase e disa edhe pa atë diplomatike. Nga paraburgimi shpëtuan edhe funksionarët e BDI-së, Ismet Guri dhe Ejup Alimi./alsat