Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot do ta vazhdojë seancën e gjashtë, ku në rend dite është Propozim vendimi për dhënien e pëlqimit për aktet e përgjithshme të Avokatit të popullit, si dhe shkarkimi i prokurorit publik shtetëror, Marko Zvërlevski.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi të enjten e ndërpreu seancën pas serisë së pauzave që i kërkuan deputetët e VMRO-DPMNE-së që të shqyrtohen stenogramet nga fjalimi i ombudsmanit, Ixhet Memeti.

Paraprakisht, nga VMRO-DPMNE-ja njoftuan se kanë formuar 10 grupe të deputetëve. Koordinatorë të grupeve të deputëve janë Ilija Dimovski, Antonio Milloshoski, Zoran Iliovski, Vlladanka Aviroviq, Daniella Rangellova, Panço Minov, Dimitar Stevananxhija, Dragan Danev, Bllagica Lasovska dhe Dragan Cuklev.

Sipas Rregullores së Kuvendit, koordinatorët e grupeve të deputetëve kanë të drejtë për diskutim prej 15 minutave dhe të kërkojnë vërejtje procedurale edhe tre minuta.

Në deklaratë për media, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi deklaroi se është herët që të thuhet nëse veprimi i VMRO-DPMNE-së për formimin e dhjetë grupeve të deputetëve është bërë me qëllim që të bllokohet puna e Kuvendit.

“Me veprimin e tyre në Kuvend do të dëshmohet se cili është qëllimi i tyre. Nëse sillen siç u sollën dje, kjo do të thotë se do ta shfrytëzojnë mundësinë përmes parimit kërkim të pauzës pas një ore, të cilën koordinatori ka të drejtë ta kërkojë. Kjo do të thotë se në 24 orë do të kërkojnë 10 orë pauzë. Ata do të mbajnë përgjegjësi politike për veprimin e tyre”, tha Xhaferi.

Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së këtë fundjavë kumtoi se shkaku i drejtpërdrejtë dhe i vetëm për veprimin e partisë në Kuvend është marrëdhënia injorante e Qeverisë së udhëhequr nga LSDM-ja dhe shumica e re parlamentare.

Në rend dite të seancës së gjashtë janë edhe propozim-ndryshimet e Ligjit për marrëdhënie pune të parashtruar nga Nola Ismajllovska, Magdalena Manaskova dhe Vesna Pemova dhe raportet vjetore për punën e shumë institucioneve. Deputetët duhet të debatojnë edhe për situatën me deponinë e paligjshme në Strugë, propozim i parashtruar nga grupi i deputetëve të VMRO-DPMNE-së