Shtatë vende-anëtare të Bashkimit Evropian nga Evropa Qendrore sot i bënë thirrje BE-së që ta përshpejtojë pranimin e Malit të Zi dhe të Serbisë, duke cituar se prolongimi i integrimit të Ballkanit Perëndimor mund të paraqesë rrezik për sigurinë e tërë rajonit.

Ministrat e Punëve të Jashtme të katër vendeve nga Grupi i Vishegradit (Hungaria, Sllovakia, Polonia dhe Çekia) si dhe Austria, Sllovenia dhe Kroacia në takimin e sotëm në Budapest biseduan për problemet me emigracionin dhe situatën në Ballkanin Perëndimor dhe në Ukrainë.

“Nëse nuk mundet që ta përshpejtojmë procesin evropian integrues në Ballkanin Perëndimor do të duhet që të ballafaqohemi me sfida serioze për sigurinë në tërë rajonin qendror evropian”, deklaroi shefi i diplomacisë hungareze Peter Sijatro.

Ai shtoi se BE-ja duhet që t’i përshpejtojë negociatat me Malin e Zi dhe Serbinë  dhe të fillojë negociatat me vendet e tjera nga Ballkani Perëndimor.

Maqedonia dhe Shqipëria  janë vende-kandidate për anëtarësim në BE, por ende nuk kanë filluar negociata, ndërsa Bosnja e Hercegovina dhe Kosova pret që të marrin status kandidat.

“Situata në Ballkanin Perëndimor është e paqartë dhe jostabile dhe do të duhet që të bindemi  se do të ketë dialog për përforcimin e sigurisë në këtë rajon”, citoi ministri slloven i Punëve të Jashtme, Karl Erjavec.