Policia e Shqipërisë ka njoftuar se gjatë paradites së sotme ka pasur një fluks të madh në hyrje të turistëve, vizitorëve dhe pushueseve që kanë zgjedhur plazhet e Shqipërisë për të pushuar apo kaluar fundjavën.

Sipas një njoftimi të Policisë, deri tani kanë hyrë nëpërmjet pikave të kalimit kufitar 21.890 shtetas, si dhe 4975 automjete.

“Policia Kufitare po punon me shërbime të shtuara për të përballuar fluksin , duke eleminuar radhët e gjata në këto pika. Fluksi i lëvizjes në të gjitha akset rrugore në këto momente është normalizuar, pasi ka pasur shumë ngarkesë nga ora 07.00 deri në orën 09.00. Përveç aksit Shkodër -Lezhë , që vijon të ketë shumë ngarkesë , që vjen si rezultat i fluksit të madh në hyrje dhe dalje nga pikat e kalimit kufitar të Muriqanit dhe Hanit të Hotit. Shërbimet e Policisë Rrugore janë të shtrira në të gjitha akset kryesore dhe në akset që të çojnë në plazhet e vendit”, thuhet në njoftimin e Policisë, transmeton kp.

Në këto akse rrugore, Policia Rrugore po kryen kontrolle me Radar në versionin “autmomatik”, për të evidentuar dhe ndëshkuar drejtuesit e mjeteve që tejkalojnë shpejtësinë tej limitit të lejur duke u kthyer në burim aksidenti dhe rreziku për përdoruesit e tjerë të rrugës.

Policia e Shtetit fton qytetarët, pushuesit, turistët e vizitorët të telefonojnë në numrat 112 e 129 për çdo problem që mund të kenë, duke siguruar se shërbimi policor do t’ju vijë në kohën e duhur dhe cilësor.

Gjithashtu të denoncojnë çdo paligjshmëri, çdo abuzim me detyrën të punonjësve të policisë , me qëllim që të gjithë së bashku të kontribuojmë për një ambient social sa më të sigurt.