Astrit Patozi vijon takimet e tij me demokratët e kësaj here ai është zhvendosur në Vlorë, nga ku ka hedhur akuza të forta drejt Lulzim Bashës.

Duke përdorur batutat elektorale të Ramës për Romeon dhe Zhuljetën, ish deputeti i PD-së bëri sarkazëm me Lulzim Bashën kur tha se ai nuk mund të “puthet” me Edi Ramën sa herë që vendos vetë apo me familjarët e tij.

 “Kryetari s’mund të vendosë i vetëm dhe me familjarët e tij se kur puthet apo pështyhet me Edi Ramën. Kjo është partia e lirisë dhe ka lindur nga liria. Ne duhet ta detyrojmë të ndërpresë farsën elektorale”-tha Patozi.

Më pas ish kreu i grupit parlamentar të selisë blu i ka bërë një thirrje të hapur të gjithë demokratëve, e në veçanti Sali Berishës. Por me thirrjen e tij, Patozi ka akuzuar sërish Bashën, duke treguar se ai nuk do t’i çonte kurrë demokratët në përplasje fizike…

“Unë ftoj çdo anëtarë të PD-së, por duke filluar që nga themeluesi i PD-së Sali Berisha, e deri tek anëtari më i ri duhet të ngrihen ti dalin zot dhe të marrin fatin e PD. Nuk duhet ta lejomë që 22 korriku të jetë një dite e zakonshme. Unë nuk dua ti përplas demokratë sikundër donte ti përplaste qytetarët në Kavajë Lulzim Basha për të shpëtuar lëkurën e tij.”- tha Patozi duke ju referuar thirrjes së Bashës për protestë, e cila shtyu dhe zgjedhjet e pjesshme në Kavajë.

Së fundmi, Patozi ka ndaluar duke thënë se dikush në Vlorë, i ksihte thënë Bashës që “na shite”. Sipas demokratit edhe pse ai nuk zotëron prova, sërish është i mendimit se Basha pasi e solli në kategori të dytë PD-në, nëse fiton më 22 korrik, do ta çojë në “kategorinë e tretë”.

“Basha erdhi këtu në fushatë dhe premtoi që do të fitonte. Humbi. Tani nuk mban asnjë përgjegjësi, por vjen sërish dhe thotë ne humbëm, po nuk ka problem. A thua se është humbje e Flamurtarit dhe do fitojmë javën tjetër. Janë 4 vite për demokratët që do të sakrifikojnë…

Dikush i ka thënë Bashës kur erdhi në Vlorë që “na shite”. Unë nuk e them dot. Jo se po e kursej, por se nuk kam prova. Në rast se nuk na shiti ia vodhën për shkak të paaftësisë. Problemi është që për këtë a do mbajë dikush përgjegjësi?” – tha Patozi.