Shkupi, vend që vizitohet çdo ditë, në masë të madhe nga të huajt dhe vendasit ballafaqohet me mungesën e tualeteve publike.

Edhe në projektin “Shkupi 2014” i cili vazhdon ende të ndërtohet dhe vlen miliona euro  ka mungesë të tyre. Në anketën e realizuar nga televizioni Alsat qytetarët thonë se nuk ka tualete të mjaftueshme publike dhe se ato që ekzistojnë janë të pashfrytëzueshme për shkak të papastërtisë së madhe.

“Nuk ka të mjaftueshme. Edhe ato që janë, janë katastrofë, assesi nuk mund të shfrytëzohen.”

“Nuk i kam përdor asnjëherë.”

“Me të vërtetë njëra prej gjërave  kyçe nëpër qytetet e mëdha, janë tualetet publike të cilat duhet të jenë pastra dhe mirë të organizuara. Tani për tani gjithçka është kaotike në qytet.

“Jo nuk ka, duhet të ketë më shumë.”

“Po duhet të ketë. Janë shumë të ndotura ,nuk i pastrojnë.”

Në përgjigjen e dhënë nga qyteti i Shkupit për Alsat thonë se:

“Qyteti i Shkupit ka rinovuar disa tualete publike në parkun e qytetit dhe përgjatë urës Goce Dellçev dhe për to kujdesen ndërmarrjet publike të qytetit. Deri tani nuk ka pasur  ndonjë ankesë nga ana e autoriteteve të inspektimit për higjienë të brendshme dhe të jashtme. Tualetet tjera që janë në zona publike janë vendosur nga të tjerët, për nevoja të përkohshme dhe për higjienën e tyre duhet të kujdesen subjektet që i menaxhojnë ato dhe inspektorët komunal.” – thanë nga Qyteti i Shkupit.

Projekti Shkupi 2014 supozohet se ka shpenzuar mbi 600 milion euro nga buxheti i shtetit, ndërsa ndërtuesit e tij kanë parashikuar vetëm statuja dhe përmendore, por jo edhe tualete publike, siç ekzistojnë në qytetet bashkëkohore.