Shtatëdhjetë e tre fondacione dhe organizata joqeveritare të cilat kanë brenda tyre ekspertë në fusha të ndryshme, shpalosën të mërkurën propozimin e tyre për reformat në shtet, në 3,6, 9 dhe 12 muajt e ardhshëm, përmes të ashtuquajturit “Blueprint për reforma urgjente demokratike”, me të cilin kërkojnë nga qeveria e Maqedonisë t’i bëjë një riplotësim planit të saj të prezantuar kohë më parë, të shtuquajturin “plani 3,6, 9”, raporton Anadolu Agency (AA).

Propozimet për reforma janë përpunuar nga 146 përfaqësues të 73 organizatave joqeveritare (OJQ), pjesëmarrës në forumin e organizatave të shoqërisë civile të mbajtur më 4 dhe 5 korrik, dhe kanë të bëjnë kryesisht me dokumentin bazë të cilin e kishin miratuar në vitin 2016.

Përfaqësuesi i organizatave të apostrofuara më lartë, Marko Troshanovski kërkoi nga qeveria t’i bëjë një riplotësim planit të saj të prezantuar kohë më parë, të ashtuquajturin “Plani 3,6, 9”, sepse siç tha, numri i masave të parapara për realizim nga qeveria në tremujorin e parë janë shumë më pak nga ato për të cilat OJQ-të mendojnë se mund të realizohen.

“Ne mendojmë se ka hapësië për përmirësim në fazën e parë të planit aksional për zbatimin e reformave, ndërkohë që për etapën 6 dhe 9, mendojmë se paraqesin një mundësi të mirë për qeverinë që të përfshijë rekomandimet të cilat mendojmë se janë të rëndësishme”, tha Troshanovski.

Uranija Pirovska, në prononcimin e saj tha se ky plan paraqet një tentativë për t’i dhënë shtytje proceseve reformuese në shtet dhe kthimit të vlerave demokratike, të cilat siç tha, në masë të madhe ndihmohen me zgjedhjet e fundit parlamentare të cilat i dhanë fund krizës shumëvjeçare politike.

“Fushat e përfshira në dokument janë financat publike dhe ekonomia, gjyqësori, lufta kundër korrupsionit, zgjedhjet dhe sistemi zgjedhor, kuvendi, administrata publike, kontrolli mbi policinë dhe agjencisë për siguri dhe kundërzbulim, energjetikë, kulturë dhe shëndetësi, për çka propozohet formimi i një këshilli konsultativ me të cilin do të kryesojë kryeministri i cili do të monitorojë zbatimin e prioriteteve, ndërsa komisionet parlamentare të mbajnë debate mujore në të cilat do të ftojnë përfaqësues të shoqërisë civile për të debatuar zbatimin e reformave prioritare”, tha Pirovska.

Ky dokument sot do t’u dërgohet të gjitha institucioneve shtetërore të cilat janë kompetente për të zbatuar prioritetet e hartuara në këtë dokument.