Një grup i trafikut të drogës, i përbërë nga shqiptarë është shkatërruar nga policia greke.
Policia njoftoi të martën se pas një operacioni të mirorganizuar, janë arrestuar gjashtë persona. Mes të arrestuarve është edhe një grua, raportojnë mediat lokale.
Ata akuzohen si pjesëtarë të një rrjeti që trafikonte drogë në qendër të Athinës, por edhe në disa ishuj të Greqisë.
Gjatë kontrolleve në dy banesa në zonën e Pireut, që shërbenin për magazinimin e drogës, policia gjeti dhe sekuestroi me cilësinë e provës 15.8 kg kanabis, 38 gramë kokainë. Sipas komunikatës së policisë, një sasi e këtij kanabisi ishte përgatitur që të dërgohej në ishullin Lesvos.
Në kuadër të operacionit, janë sekuestruar gjithashtu, dy automjete, një motoçikletë, dy peshore precizoni dhe 13 celularë.
Policia njofton gjithashtu se ka vërtetuar 80 raste të trafikimit të drogës nga rrjeti në fjalë.
Të gjashtë të arrestuarit, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur, pritet të dalin para prokurorit të Pireut që do t’iu komunikojë akuzat, dhe sipas të gjitha gjasave edhe masën e arrestit me burg.