Seanca për shkarkimin e Prokurorit Publik Marko Zvërlevski do të vazhdojë pasi të përfundojë seanca për rebalancin e buxhetit, caktuar për të martën. Sipas rregullores, debati në seancë plenare mbi rishikimin e buxhetit nuk mund të zgjasë më shumë se pesë ditë. Megjithatë ishte paraparë që nga 8 gushti, deputetët të marrin pushimin vjetor të parashikuar me rregullore. Nënkryetari i LSDM-së Blagoj Boçvarski thotë se pa shkarkimin e Zvërlevskit, deputet e shumicës parlamentare nuk do të shkojnë në pushim vjetor.

Ajo që është e qartë është se të martën do fillojë seanca për rebalancin e buxhetit e cila do të zgjasë pesë ditë , presim që menjëherë të caktohet seancë për shkarkimin e Prokurorit Publik Marko Zvrlevski. Qëndrim i grupit parlamentar të LSDM-së, është se ne si shumicë parlamentare nuk do të pranojmë që të shfrytëzojmë pushim vjetor, nuk do e shfrytëzojmë atë pushim të cilin e kemi të garantuar me ligj, derisa nuk do të bëhet ndryshimi i Prokurorit Publik Zvrlevski, d.m.th. derisa të mos fillojë procedura për zgjedhje të prokurorit të ri Publik- tha Blagoj Bocvarski, nënkryetar I LSDM-së.

Të pyetur nga Alsat-M se cili është qëndrimi i tyre lidhur me vazhdimin e seancës për skarkimin e Zvrlevskit, madje nga VMRO-DPMNE përmes telefonit u përgjigjën se për to më e rëndësishme se seanca për Zvërlevskin është futja në rend dite çështja e deponisë së Strugës.

“Si opozitë, për ne më me rëndësi është çështja e deponisë së Strugës. Përse Qeveria deri më tani nuk ka hap debat lidhur me pikat tona si opozitë për këtë çështje? Sa i përket seancës për shkarkimin e Zvërlevskit, ajo nuk është më e rëndësishme se shëndeti i qytetarëve i cili po dëmtohet nga deponia e Strugës”, thanë nga VMRO-DPMNE.

Kryeparlamentari Talat Xhaferi në përfundim të seancave paraprake gjatë ditës së premte, njoftoi se Kuvendi do të punojë edhe në fundjave ku në rend dite ishte Prokurori Publik. Megjithatë Alsat-M mëson se në koordinim, grupet parlamentare nuk kanë arritur të merren vesh për caktimin e një seancë gjatë të shtunës që lamë pas dhe as gjatë të dielës. Në rast se deputetët marrin pushimin vjetor më 8 gusht, ashtu siç është njoftuar, nuk përjashtohet mundësia që pika për shkarkimin e Zvërlevskit të mos vijë në rend dite para zgjedhjeve lokale.