Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska dhe ambasadori i Greqisë, Dimtiris Janakakis, në takimin e sotëm në Ministrinë e Mbrojtjes e përshëndetën bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në fushën e mbrojtjes dhe në përballjen me krizën e migrantëve.

Siç kumtoi Ministria e Mbrojtjes, Shekerinska theksoi se ka bashkëpunim në domenin e mbrojtjes dhe se dy armatat mund të bashkëpunojnë mirë, pa u ngarkuar me çështje politike. Ministrja e Mbrojtjes, ceket, posaçërisht e theksoi bashkëpunimin ushtarako-arsimor, në kuadër të të cilit oficerë nga Armata e RM-së shkollohen në shkolla të larta ushtarake në Greqi, si Kolexhi nacional i mbrojtjes apo Kolexhi i lartë ushtarak.

Ambasadori Janakakis, ceket, ka shprehur kënaqësi nga bashkëpunimi i mirë në mbrojtje dhe shtoi se mund të bëhet shumë në avancimin e tij.

“Për ne ju jeni fqinj i rëndësishëm. Si vend jemi të interesuar për suksesin dhe prioritetin tuaj”, tha Janakakis, ceket në kumtesë.

Ministrja Shekerinska në takim foli edhe për krizën e migrantëve, duke informuar se Kuvendi i RM-së e vazhdoi gjendjen e krizës në kufirin jugor, e me atë edhe të pjesëtarëve të ARM-së në kufi.

“Pjesëtarët e Armatës së RM-së janë në kufirin tonë jugor. Gjendja atje nuk është dramatike, por nuk mundet me siguri të thuhet se si kjo do të zgjidhet”, tha ministrja dhe shtoi se nevojitet të vendoset sistem me të cilin do të përballemi me këto sfida”, qëndron në kumtesë.

Në atë kontekst, ambasadori Janakakis theksoi se është e mirëseardhur ulja e presionit të krizës së migrantëve në kufijt e të dy vendeve. Ai foli edhe për bashkëpunimin e mirë ndërmjet forcave policore dhe ushtarake të kufirit.

Nga aspekti i integrimit të Maqedonisë në Aleancën e NATO-s, ministrja Shekerinska kërkoi solidaritet nga Greqia si fqinje.

“Anëtarësimi në Aleancë do ta përforcojë vendin, ndërkaq do t’i bëjë edhe kufijt më stabil”, tha Shekerinska.

Në takim bashkëbiseduesit e përshëndetën vizitën e minsitrit të jashtëm të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov në Greqi, si dhe vizitën e paralajmëruar kthyese të kolegut të tij grek, Nikos Koxias në Maqedoni, ceket në kumtesën e Ministrisë së Mbrojtjes.