Nga Arian Galdini
Nuk po e zgjas këtë sfidë e po i bie drejt e mu në lule të ballit problemit.
Jam Arian Galdini. Kam ndryshuar mbiemrin, të cilin e kam patur Saliaj. Jam i biri i Pëllumb dhe Teuta Saliaj. Formularin e dekriminalizimit nuk e kam plotësuar dot, sepse ti dhe miku im i vjetër dhe miku yt i ri, Lulzim Basha, na e mohuat të drejtën e kandidimit. Por nëse ti dëshiron, jam i gatshëm të vij ta plotësoj në zyrën tënde dhe të të lë në dispozicion gjurmët e mia të gishtave dhe po të duash edhe të retinës së syve. I them këto ngase kur unë psh, dilja në çdo ekran e shkruaja me qindra artikuj në gazetat më të mëdha në vend, ju kurre nuk u shqetësuat për mbiemrin tim të ndërruar. Vetëm pas 1 qershorit 2016, ju zbuluat se unë paskërkësha ndërruar mbiemër dhe këtë e paskërkësha bërë për të fshehur të kaluarën time kriminale, si trafikant i dënuar kanabisi. Faleminderit Zotit, që Komisar Katani dora vetë si polici që më kishte vënë prangat, e konfirmoi lajmin e mediave të Fugës tënd. Jam i gëzuar që asokohe, ti, Fuga dhe Komisar Katani, ratë dakort për të njëjtin version historie me Arian Saliaj si kriminel e mafioz i rrezikshëm.
Le të vijmë tek thelbi i çështjes.
As ti, as Fuga yt, e as Komisar Katani, nuk ishit dakordësuar ende për këtë versionin se ky Arian Galdini është në fakt krimineli mbiemërndryshuar Arian Saliaj, as kur unë dola dhe denoncova si qytetar në Opinion TV Klan rastin dramatik të babait të sime shoqeje që kaloi një kalvar edhe më të keq se me kancerin e tij, pikërisht me keqtrajtimin e sistemit tënd shëndetësor. Them sistemit tënd, jo sepse e katandise ti të tillë. Ka 27 vjet që është katastrofë. Por përballja ishte me zyrtarët e emëruar prej teje.
Edhe pse denoncimi im bëri zhurmë të madhe, edhe pse mediat shkruan për muaj e muaj të tërë për denoncimin tim e për çështjet që dolën njëra pas tjetrës, as ti, as Fuga e as Komisar Katani, nuk e menduat fare këtë punën e dakordësimit për të kaluarën time kriminale. E kaluara ime kriminale, ju bëri bashkë, ty, Fugën dhe Komisar Katanin vetëm kur unë dola në krah të Bashës si aleat politik.
Me pak fjalë, dua të them se ty nuk të hyn në sy fare, asnjë qytetar, madje as ata me zë publik sikundër modestisht unë jam. Ty të kap radari vetëm kundërshtarët politikë. Kjo është e vërteta.
Ti nuk po kërkon aleancë me qytetarët. Ti po kërkon të përdorësh shoqërinë, për të asgjësuar kundërshtarët dhe kritikët e tu politikë.
A do lista ti?
Po ti jap unë nja 3 lista. Në njërën ke shumicën e ish Ministrave dhe Ministrave te tu. Në tjetrën ke shumicën e ish deputetëve, deputetëve aktualë dhe atyre qe ke bërë në këtë 25 qershor. Dhe në listën ku ti nuk ke justifikime politike për të ma rrëzuar, ke të gjithë piramidën kriminale në Shëndetësi, duke nisur nga Ilir Beqaj deri tek Kryefarmacistja e QSUT, sipas denoncimit publik që unë kam bërë në janarin e 2015.
Babai i sime shoqeje, fatkeqësisht e humbi betejën me kancerin. Unë kam humbur betejën me Mafian tënde në Shëndetësi dhe Farmaceutikë.
Sidoqoftë, sfida ime për ty është kjo?
A ia tregon dot ferrin Ilir Beqajt, Manastirliut, Kryefarmacistes së QSUT, mafias farmaceutike?
Nëse mundesh, jam i gatshëm të vij personalisht të të ndihmoj, si e ku, e pse.
Kam edhe një sfidë për shqiptarët që të shkruajnë lista në facebook.
Shqiptarë, jepini Lista, sa më shumë Lista, Kryeministrit tuaj.
Ai nuk di as të punojë as të qeverisë.
Di vetëm të trazojë me mashë facebooku thëngjijt e zilive, mllefeve, xhelozive, meskiniteteve, pësimeve, vuajtjeve, komplekseve dhe poshtërsive tona të vogla….
Ta gëzoni….
Them ta gezoni, se për vete unë as e dua, as do ta lejoj ta gezojë, por çdo ditë do flas e thërras për rrëzimin e kësaj flame….
Arian Galdini
Tiranë më, 14 korrik 2017