Kosova ka shanse të mëdha për t’u anëtarësuar në Interpol në seancën e shtatorit të këtij viti të Asamblesë së Përgjithshme të kësaj organizate. E në rast se ndodh kjo, Kosova fiton fuqi të pakufishme që për Serbinë do të kishte pasoja katastrofike.

Kështu thotë për “Sputnjik”, Marko Nicoviq, anëtar i Asociacionit Botëror të Shefave të Policisë.

“Ata mund të vendosin këdo në udhërarrest të Interpolit, për shembull Vuçiqin, Daçiqin e Stefanoviqin apo çdo politikan tjetër nga Serbia për krime lufte apo nxitje të luftës. E kemi pasur rastin e Oliver Ivanoviqit – gjithmonë mund të shfrytëzoni aktakuzën e të gjeni dëshmitarë të rinj. Ata persona nuk do të mund të lëvizin nga shteti dhe ndaj kësaj Serbia, në asnjë mënyrë, s’mund të ndikojë”, ka thënë Nicoviq, transmeton Koha.net.

Madje, ai thotë se as imuniteti diplomatik nuk do të mund t’i mbronte zyrtarët serbë përderisa do të gjendeshin në listat e Interpolit, ndërsa thekson se nga ajo listë mund të hiqen vetëm nga shteti që i ka futur aty.

“Të themi, nëse e fusin Vuçiqin në atë listë, vetëm Kosova mund ta heq atë nga lista. Ai edh mund të ketë imunitet diplomatik, por të njëjtin e kanë pasur edhe Haradinaj, Thaçi e Çeku, mirëpo prapëseprapë janë arrestuar në pikëkalime kufitare. Është e vërtetë se janë liruar me presion të lobeve amerikane, por arrestimi i cilido zyrtari serb do të ishte poshtërim për Serbinë sepse ai person do të kërkohej nga pala kosovare. Siklet edhe më i madh do të ishte sikur ata persona të arrestoheshin e të ekstradoheshin në Kosovë”, përmend Nicoviq.

Me anëtarësimin në Interpol, sipas Nicoviqit, zyrtarët kosovarë jo vetëm se do të kenë fuqinë të fusin këdo në atë listë, por do të kenë informata se ndaj cilëve persona në planin ndërkombëtar janë duke u zhvilluar hetime, përfshi edhe për shtetasit e vetë.

Ai thotë se mundësia që Kosova ta keqpërdorë anëtarësim në Interpol është e pakufishme – imagjinata është kufiri.

“UNESCO është lojë fëmijësh në raport me atë që zyrtarët kosovarë mund të bëjnë me anëtarësim në Interpol. Jo vetëm se në njëfarë mënyre përfshiheni në rrjetin botëror të strukturave informuese të cilat ndjekin terrorizmin dhe kriminalitetin global, por edhe keni mundësi që në listën e të kërkuarve të fusni çdo person për të cilin, të themi, mafia paguan që të futet në listë. Kosova mund ta bëjë këtë për para, madje edhe mund të shesin të dhëna të Interpolit për persona të caktuar të strukturave tjera mafioze nëpër botë që janë duke u hetuar – mafien italiane dhe ruse, kineze e japoneze”, thekson Nicoviq, transmeton Koha.net.

Niceviq beson se shanset e Kosovës për t’u anëtarësuar në Interpol gjatë muajit shtator janë shumë të mëdha pasi që shumë rrallë ndodh që Asambleja e Përgjithshme të refuzojë anëtarësimet.

Global