Në epilog të fushatës elektorale për t’u zgjedhur kryetar i partisë demokratike, Eduard Selami u tha demokratëve të Kamzës dhe Kavajës se modeli që ai ofron është model i vlerave dhe besimit, mungesa e të cilave çuan në rrudhjen e kësaj partie në zgjedhjet e fundit.

“Kjo nuk është një humbje e radhës. Kjo është një humbje besimi dhe humbja e besimit në radhë të parë është humbja e besimit tek njëri-tjetri. Kemi kohë që nuk funksionojmë më si forcë politike bashkëkohore. Kur kemi mbyllur rrugën e vlerave, do të dalin këta të veseve dhe do të bëhet konkurrenca se kush shan më shumë, që t’i hyjë në qejf kryetarit, që të zgjidhet lart. E shikoni se si deformohet? Pra ne nuk po konkurrojmë më me vlera dhe do fillojmë të rrudhemi siç po rrudhemi. Kemi qenë parti e parë, s’jemi më. Ishim rrotë më rrotë, kemi dalë me dy shifra. Jemi në mes, po na afrohet ai prapa”,tha Selami.

Në fund të fushatës, Selami tha se ajo që e motivoi ishte dëshira e tre të rinjve që takoi rastësisht dhe që i treguan se të ardhmen e tyre e shohin në vendin mëmë. Selami tha se kthimi i shpresës së shqiptareve tek vendi i tyre, është sfida kryesore e Partisë Demkoratike.

“Një nga pjesët më të bukura të kësaj fushate për mua është që këtu rastësisht janë 3 të rinj. Është Elvisi, është Mario dhe Erioni. Më afrohet Elvisi dhe më thotë: Zoti Selami edhe unë jam një demokrat, urime për garën. Sot kanë marrë diplomën. Elvisi është demkorat dhe është nga ata njerëz që është i angazhuar. Dy miqtë e tij janë akoma nga ata që shikojnë dhe vëzhgojnë se si veprojmë ne. Ma bënë zemrën mal kur i pyeta: A e shikoni ju të ardhmen tuaj në Shqipëri? Elvisi tha: Po. Zotëria tjetër tha: Unë jam i pavendosur dhe zotëria tjetër tha që dhe unë hyj tek ata që: Po, e shikoj. Më dhanë shpresë sepse një nga dështimet më të mëdha tonat si forcë politike është fakti që partia më e madhe në Shqipëri është partia “Për t’u larguar nga Shqipëria”, me 56% dhe 50% e këtyre janë të rinj. Kjo është përgjegjësia dhe ky duhet të jetë standardi  ynë. Me këtë duhet të matemi ne dhe unë kam bindjen që historia jonë dhe krenaria jonë si demokratë është që ta kthejmë edhe njëherë Partinë Demkoratike në parti të shpresës së shqiptarëve dhe demkoratëve”.

Selami u shpreh se demokratët duhet të jenë krenarë pasi kanë bërë për vendin e tyre atë që pakkush e ka bërë duke rrëzuar komunizmin dhe duke e futur vendin në rrugën e demokracisë.

T mobile In article [4]