Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Sejdiu, i ftuar në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se si deputet i zgjedhur i Kuvendit të Kosovës, pret që në seancën e 3 gushtit të thirrur për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, do të ndodh pikërisht kjo.

Sipas tij, kreu i PDK-së, Kadri Veseli, nuk paraqet asgjë më shumë sesa vetëm interesat e veta, duke bërë me dije se partia e tij, Vetëvendosje, nuk do ta votojë atë për këtë post në rast të nominimit.

“Veseli, sa ka qenë kryetar i Kuvendit, ka treguar qartë se çfarë interesash përfaqëson. Zotëri Veseli nuk do të votohet. Do ta shohim se si do të shkojë rrjedha e seancës për të vendosur se a do të qëndrojmë në sallë a jo gjatë votimit”, ka thënë Sejdiu.
Ai thotë se Veseli nuk është i vetmi deputet i PAN-it, “janë edhe 38 të tjerë” dhe ne do të votojmë për atë individ nëse e shohim se ia vlen.

“Ne i kemi 32 deputetë, LAA 29, së bashku i kemi 61. Mendoj se ideja që po mundohet të krijohet për një krizë të mundshme institucionale është më shumë interes i PDK-së. Nuk kemi asnjë telash, jemi shumë të qetë në këtë proces, e kemi të qartë se PAN-i e ka të drejtën për të nominuar kandidatët e parë për kryeministër, dhe më pas do të presim që ta nominojmë Kurtin për kryeministër”, tha ai.

“Sikur PAN-i të ishte në tregun e bursave, do të ishim më të mirët për spekulime. Është rasti i Teuta Rugovës, është ndërtim i spekulimit, është për keqardhje ky rast. Presidenti Thaçi e ka shtyrë thirrjen e seancës konstituive mjaft, në maksimum. Deri në këtë kohë, PAN-i vetëm këto fjalë i ka pasur, ‘i kemi numrat, i kemi numrat’. Po t’i kishin, do ta thërrisnin seancën”, ka theksuar Sejdiu.