Projektet infrastrukturore, integrimi rajonal ekonomik dhe kontaktet mes njerëzve të vendeve të Ballkanit Perëndimor do të jenë në fokus të Samitit të Triestes, që mbahet sot në qytetin italian.

Italia është pritësja e samitit të katërt vjetor në kuadër të “Procesit të Berlinit”, një nismë për bashkëpunim rajonal në Ballkanin Perëndimor, e cila pason samitet e Berlinit, Vjenës dhe Parisit, që janë zhvilluar në harkun kohor të 3 viteve të fundit. Delegacioni i BE-së në Tiranë njofton se në fushën e lidhshmërisë, fokusi do të jetë në implementimin e Agjendës së lidhshmërisë, e cila synon krijimin e kushteve për rritje ekonomike dhe marrëdhënie të mira fqinjësore, në veçanti përmes përgatitjes dhe financimit të projekteve konkrete të investimeve në infrastrukturë rajonale në sektorët e transportit dhe energjisë.

Gjatë Samitit, Komisioni Europian do të prezantojë fonde të reja të konsiderueshme si pjesë e “pakos vjetore të lidhshmërisë”. Partnerët e Ballkanit Perëndimor pritet të nënshkruajnë Traktatin e Komunitetit të Transportit, i cili do të ndihmojë në integrimin e rrjeteve të transportit në rajon me BE-në dhe do të udhëheqë masat reformuese në sektorin e transportit. Në lidhje me integrimin ekonomik rajonal, partnerët e Ballkanit Perëndimor pritet të bien dakord mbi një plan veprimi për të zhvilluar një Zonë Ekonomike Rajonale me qëllim të rritjes së tërheqjes së rajonit për të rritur investimet dhe për të gjeneruar vende pune, veçanërisht nëpërmjet rritjes së zgjuar, bizneseve të reja dhe rritjes së kapacitetit.

Për herë të parë, në kuadër të procesit të Berlinit, pjesë e planit të veprimit është edhe një dimension digjital: kjo do të kontribuojë në integrimin e rajonit në tregun digjital paneuropian.

PËRFAQËSIMI

Samiti i Triestes pritet të nisë me një takim trepalësh mes kancelares gjermane, Merkel-Presidentit francez, Macron e kryeministrit italian, Gentiloni. Të pranishëm të gjithë kryeministrat dhe ministrat e Ekonomisë e të Transportit të Ballkanit Perëndimor, si dhe homologët e tyre nga 6 shtete anëtare të BE-së, si Austria, Kroacia, Franca, Gjermania, Italia dhe Sllovenia.

Në Trieste do të jenë të pranishëm edhe përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Federica Mogherini, komisioneri për Politikat Europiane të Zgjerimit, Johannes Hahn, si dhe Violeta Bulc, komisionere për Transportin. Delegacionet qeveritare të vendeve të Ballkanit Perëndimor të Shqipërisë, Kroacisë, Kosovës, Maqedonisë, Bosnje Hercegovina, Serbisë, Malit të Zi si dhe të vendeve anëtare të BEsë do të mblidhen në Samitin e Triestes në 3 seksione paralele; seksioni i Krerëve të Shteteve e përfaqësuesve të ekzekutivit të çdo vendi pjesëmarrës; seksioni i takimit të Ministrave të Jashtëm dhe seksioni ekonomik me pjesëmarrjen e Ministrave të Financave e të Ekonomisë së vendeve të Ballkanit Lindor./panorama