Zaur Dadajev, një ushtar nga rajoni mysliman i Çeçenisë, në jug të Rusisë, u dënua sot me 20 vjet burg për vrasjen e liderit rus të opozitës, Boris Njemcov jashtë Kremlinit në 2015.

“Katër persona të tjerë u dënuan me 11-19 vjet burg për role të ndryshme në vrasjen e Njemcovit, si edhe presionin e ushtruar ndaj opozitës politike ruse të fragmentuar”, njoftoi media shtetërore.

Anzor Gubashev, i shpallur fajtor për gjurmimin e liderit të opozitës, Njemcov gjatë natës së vrasjes, u dënua me 19 vjet burg.

Vëllai i tij, Shadid Gubashev u dënua me 16 vjet burg i akuzuar se ka qënë pjesëmarrës në organizimin e krimit.

Dy persona të tjerë, Temirlan Eskerhanov dhe Hamzat Bahajev u dënuan me 14 dhe 11 vjet burg respektivisht,  të akuzuar si bashkëpunëtorë në organizimin e vrasjes.

Njemcov, një kritik i ashpër i presidentit, Vladimir Putin u vra në shkurt të vitit 2015, disa ditë përpara marshimit të madh opozitar dhe publikimit të një raporti të diskutueshëm që implikonte ushtrinë ruse në konfliktin e Ukrainës.

Ai ka qënë zëvendëskryeministër nën drejtimin e ish- presidentit, Boris Jelcin, paraardhësit të Putinit.

Dadajev ka pranuar se shkaku i vrasjes së Njemcovit ka qënë fyerja e Islamit dhe liderit të Çeçenisë, Ramzan Kadirov, nga ana e liderit të opozitës.

Familja e Njemcovit ka hedhur dyshime se Kadirov mund të jetë përfshirë në urdhërimin e vrasjes së tij.