Numri i të prekurve me kancer në Kosovë në gjashtë muajt e parë të këtij viti është rritur për gati 35 %, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Megjithëse në këto shifra pretendohet të ketë kontribuar evidentimi më i shpejtë i rasteve të reja, numrat sërish kanë shqetësuar drejtuesit e Klinikës së Onkologjisë, raporton KTV.

Vitin e kaluar, në vendin tonë ishin shënuar 1200 raste të reja të të prekurve me kancer.

Javën e fundit, si rezultat i rritjes së numrit, ka pasur edhe mungesë të barnave për kimioterapi dhe një prej aparaturave të radioterapisë apo për trajtimin e rasteve kurative është jashtë funksionit dhe duke u servisuar.

Zëdhënësi i QKU-së, Shpend Fazliu, të enjten ka njoftuar KTV-në se aparati në fjalë është funksionalizuar dhe nga e premtja është vënë në punë.

Përveç terapisë e aparaturës së vjetruar, mungesa të mëdha ka edhe në staf, në veçanti për teknikë dhe infermierë.

Viteve të fundit, QKUK-ja po përballet me mungesë të fondeve për servisimin e aparaturës së vjetruar.

Sytë drejtuesit e QKUK-së i kanë kah qeveria e ardhshme dhe ministri i ri i shëndetësisë, që ky sektor të ndihmohet në përballjen me gjendjen.

Në bazë të vlerësimit bërë nga një komision i brendshëm, nevojiten të paktën investime prej rreth 50 milionë euro për blerjen e aparaturave të reja në QKUK dhe buxhet shtesë për mirëmbajtjen e tyre.