Prokurorja Lençe Ristovska sot paralajmëroi se do të parashtrojnë ankesa kundër vendimeve të Gjykatës penale në lidhje me kërkesat për përcaktimin e paraburgimit dhe masave të kujdesit për të dyshuarit nga lëndët për të cilat Prokuroria Speciale Publike ka parashtruar akuzë.

“Të drejtat tona ligjore të cilat i kemi në këtë procedurë, është e drejta për të përdorur mjete juridike dhe gjatë kësaj jave varësisht si rrjedh e drejta e ankesës, do të ngriten ankesa kundër vendimeve”, tha Ristoska.

Shtoi se opinioni do të informohet për të gjitha ankesat dhe për arsyet për të cilat janë refuzuar kërkesat e tyre.

Ristovska pret që nga shtatori të fillojnë gjykimet, ndërsa për anulimin e seancës së sotme gjyqësore për rastin “Fortesa 2” tha se të akuzuarit kanë avokatë të rinj, për çka, siç tha, kanë të drejtë ligjore.

“Të akuzuarit kanë të drejtë të mbrojtjes. Duke e pas parasysh se kanë avokatë të rinj nuk mund ta mohojmë këtë të drejtë, kjo është e drejtë që iu takon në mënyrë ligjore”, theksoi Ristovska.

Prokurorja sqaroi se “Fortesa” dhe “Target” të cilat gjatë përgatitjes së aktit akuzues janë bashkuar në një akuzë, janë të ndryshme nga “Fortesa 2”.

Gjykata themelore Shkupi 1 Shkup deri më tani nuk i ka pranuar kërkesat e PSP-së për caktimin e paraburgimit, ndërsa 35 personave iu caktoi masë të kujdesit, gjegjësisht marrje të pasaportave dhe obligim që të paraqiten në Gjykatë,

Pritet që Gjykata sot ta kumtojë edhe vendimin e fundit në lidhje me kërkesën e PSP-së për lëndën “Titanik”.