Ndryshimet në Rregulloren e punës Kuvendit duhet bërë duke interpretuar Kushtetutën. Ekspertët rekomandojnë që ky hap mund të merret edhe pa konsensus me opozitën aq më tepër kur opozita nuk e ka për qëllim konsensusin. Juristi Temelko Ristevski vlerësimin e tij për ndryshimin e Rregullores pa konsensus e bazon në faktin që VMRO-DPMNE-ja nuk është opozita e vetme në Kuvend.

Nëse mundësohet shumicë e nevojshme parlamentare, Rregullorja mund të ndryshohet edhe pa konsensus me opozitën, në këtë rast pa konsensus me VMRO-DPMNE-në – deklaroi Temelko Ristevski, Jurist.

VMRO-DPMNE-ja opozitare është e bindur se pa vullnetin e tyre Rregullorja nuk mund të ndryshohet, duke shtuar se interpretimi i Kushtetutës nuk është akt në Rregullore. Sipas deputetit Ilija Dimovski, pushteti duhet të gjejë mënyra për pajtim me opozitën.

Rregullorja mund të ndryshohet vetëm me konsensus. Këtë e kanë të qartë deputetët me përvojë. Pa konsensus nuk është e mundur. Interpretimi nuk është i mundur. Pushteti duhet të gjejë formën e duhur për të respektuar opozitën – tha Ilija Dimovski, Deputet i VMRO-DPMNE-së.

Por Ristevski shkeljen e Rregullores së Kuvendit nga ana e opozitës e cilëson në kundërshtim me nenin 9 të Kushtetutës i cili thotë se të gjithë qytetarët e Maqedonisë janë të barabartë para Kushtetutës dhe ligjeve. Sipas tij, formimi i dhjetë grupeve privilegjon deputetët e VMRO-DPMNE-së më shumë se deputetët tjerë duke ju dhënë më shumë hapësirë për fjalime.

Qytetarët e Maqedonisë janë të barabartë para Kushtetutës, pa marrë parasysh a janë deputet apo funksionar. Ata janë të njëjtë dhe nuk mundet që disa deputet të gjenden në pozicion më të mirë duke u privilegjuar kundrejt deputetëve tjerë në Kuvend dhe më këtë të keqpërdoret edhe Rregullorja –theksoi Ristevski.

Partitë e shumicës, me përjashtim të BDI-së e cila nuk ka ndarë qëndrim, shprehen të gatshme për ndërhyrje në Rregulloren e Kuvendit. Kreu i ligjvënësit Talat Xhaferi ndryshimin e Rregullores e cilësoi si hapi u fundit i cili duhet merret nga shumica parlamentare më qëllim zhbllokimin e punës së Kuvendit. VMRO-DPMNE-ja opozitare, të enjten njoftoi kreun e Kuvendit për formimin e 10 grupeve parlamentare. Kjo nënkupton që VMRO-ja do të ketë 10 koordinator që kanë të drejtë për fjalime më të gjata dhe që mund të kërkojnë pushime një orëshe. Ky vendim sipas partisë së Nikolla Gruevskit ka për qëllim shfrytëzimin sa tepër të kohës për të debatuar në Parlament./alsat-m