Shumë yje të futbollit kanë preferuar ta mbyllin karrierë në Kinë, por ky nuk është rasti i mesfushorit të Bayern Munchen, Franck Ribery.

Në një intervistë të fundit, francezi ka zbuluar se e ka pasur mundësinë, por ka refuzuar.

“Është e vërtetë, para dy vitesh, kur dëgjova se sa para mund të fitoja atje, ishte diçka e pabesueshme. Megjithatë, unë luaj futboll për zemrën, për kënaqësinë, jo për para. Ky është mentaliteti im”, është shprehur 34-vjeçari për revistën “Sport Bild”.

Ribery ka 10 vjet që luan në Mynih, teksa ka shënuar 111 gola dhe ka dhënë 173 asiste. Ai është një legjendë e klubit dhe një nga më të preferuarit e tifozëve. Kjo e bën të ndihet si në shtëpinë e tij, gjë që e ka theksuar shpesh.

“Dua të luaj në nivelin më të lartë dhe të fitoj tituj, edhe pse jam në fundin e karrierës. Kjo është më e vlefshme se milionat nga Kina”, ka shtuar “Mbreti”.

Kontrata e tij aktuale me klubin bavarez përfundon në qershor të vitit 2018.