Me ndërmjetësim të të dërguarit të posaçëm të KB-së për Sirinë, Stefan de Mistura sot në Gjenevë filloi raund të ri, të shtatin me radhë të negociatave ndërmjet përfaqësuesve të autoriteteve siriane dhe opozitës.

Sipas paralajmërimeve të KB-së, pritet që negociatat për ndërprerje të luftës në Siri dhe për  transicionin politik të vendit, të zgjasin deri në fund të javës.

Raundi i ri i negociatave paqësore ndërsiriane fillon pasi që dje hyri në fuqi armëpushimi i ri në pjesën jugperëndimore të Sirisë, që është arritur me ndërmjetësim të presidentëve të SHBA-së dhe Rusisë, Donald Tramp dhe Vlladimir Putin.

Para fillimit të negociatave të sotme, Mistura refuzoi të flasë për pritjet e tij nga ky raund, edhe pse paralajmëroi mbajtje të konferencës për shtyp nmga fundi i ditës.

Në fillim të negociatave Mistura pati takim me delegacionin e Qeverisë në Damask, ndërsa pasdite duhet të takohet edhe me përfaqësuesit e opozitës siriane.

Burime diplomatike informuan se qëllimi primar i këtyre negociatave është të krijohen kushte për dorëzim të ndihmës humanitare në Siri dhe të vihen themelet për rregullimin e ardhshëm të vendit pas përfundimit final të luftës qytetare, që filloi para shtatë viteve.