Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian do të fillojnë sot dhe gjatë gjithë javës në Bruksel rrethin formal të negociatave për kushtet e daljes së Britanisë nga BE-ja.
Në vigjilje të bisedimeve, sekretari britanik i Breksit-it, Dejvid Dejvis, deklaroi në Londër se është koha që Britania e Madhe dhe BE- ja të “përfshihen me punë të vërtetë” në lidhje me bisedimet për braktisjen e vendit nga Unioni.
“Kemi bërë start të mirë muajin e kaluar, kështu që këtë javë do t’i ngremë çështjet thelbësore”, deklaroi ai.
Sekretari Dejvis, do të takojë homologun e BE-së, Mishel Barnie, për katër ditë bisedime.
Palët kanë më pak se dy vjet kohë për të vendosur kushtet, përpara se Britania të largohet me ose pa marrëveshje më 30 mars të vitit 2019.
Në tryezë janë shumë çështje të vështira, përfshirë të drejtat e qytetarëve të BE-së në Britani dhe anasjelltas, pas Breksit-it.
Janë rreth 3 milionë shtetas të BE-së në Britani dhe rreth 1.5 milionë shtetas britanikë në 27 vendet e tjera të BE-së.
Palët do të diskutojnë po ashtu koston e daljes së Britanisë nga blloku.