Rasti i Sopotit kalon në duart e PSP-së. Këtë vendim sot e kanë bërë të ditur nga Prokuroria Themelore Publike por edhe nga Këshilli i Prokurorëve. Kryetari i Këshillit, Petar Anevski vetëm në mënyrë teknike konfirmoi se rasti tani më ka kaluar në duart e Speciales pa dhënë arsyetime të tjera se si e kanë vërtetuar kompetencën.

“Lënda e Sopotit është kthyer në Prokurorinë Themelore për ndjekje të krimit të organizuar dhe iu është dhënë udhëzime se si të veprojnë në bazë nenit 11 nga Ligji special nga kjo prokurori por edhe duke i pasur parasysh edhe pikat tjera. Kam njohuri se lënda është dorëzuar më tek PSP”

Prokuroria Publike theksoi se Këshilli i Prokurorëve, ua ka lënë atyre në duar fatin e rastit Sopoti, pasi nuk ka patur një mendim konkret. Por Prokuroria Themelore edhe pse vlerësoi se Specialja nuk ka kompetenca për shkak se bisedat e përgjuara nuk janë pjesë e kornizës prej vitit 2008 e deri në vitin 2015, megjithatë kanë vendosur që ky rast t’i kalojë speciales.

“Prokuroria Themelore për ndjekje të krimit dhe korrupsionit në kolegjiumin e saj ka vendosur që lënda e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekje të Korrupsionit dhe Krimit, në opinion e njohur si ‘Sopoti’ e cila është në fazën e vendimit të shkallës së parë para Gjykatës Themelore Shkupi 1- Shkup, me dokumentacionet, të dorëzohet në Prokurorinë Themelore për ndjekej të veprave penale që dalin nga përmbajtje e ndjekjes së paligjshme të komunikimeve, që e njeta të deklarohet nëse mbi të do të vendos kompetenca”

Këshilli nuk dha asnjë informatë shtesë nëse do të ketë epilog edhe për rastet e tjera si “Monstra”, “Lagja e Trimave” që është në fazë përfundimtare e të tjerë. Kujtojmë se në procesin gjyqësor “Sopoti”, 11 shqiptarë u dënuan me 156 vjet burg. Aktakuza ishte për vendosjen e një mine në vitin 2003, në fshatin Sopot pas çka u vranë dy ushtarë polak të forcave të NATO-s dhe një shoqërues civil. 6 prej personave të dënuar kanë vuajtur mbi 7 vjet në burg, ndërsa pesë prej të akuzuarve u dënuan në mungesë./shenja