Kryeminsitri Edi Rama ka kërkuar nga krerët e strukturave ligjzbatuese në vend që luftën kundër kanabisit ta kanalizojnë tek goditja e krerëve të trafikimit të lëndës narkotike dhe sekuestrimit të aseteve të tyre. Në mbledhjen e task forcës së posaçme për luftën kundër kanabisit të mbajtur të hënën në Tiranë, zoti Rama kërkoi që ky proces të vijojë edhe në muajt e ardhshëm, ndërsa theksoi se vetëpastrimi i radhëve të policisë ishtë një nga faktorët që luajti rol në suksesin e arritur në këtë drejtim. “Një element shumë kuptimplotë në këtë proçes është dhe aftësia vetëkorigjuese e Policisë së Shtetit e cila paralelisht me pastrimin e kanabisin po kryen edhe pastrimin e radhëve të veta nga punonjësit e lidhur me këtë veprimtari kriminale” tha zoti Rama.
Kryeministri gjithashtu kërkoi që të bëhet më shumë në drejtim të goditjes së kokave të krimit si dhe sekuestrimit të aseteve të tyre. “Policia ka bërë progres gjatë këtyre 46 muajve që jemi në detyrë, por jemi të vetëdijshëm se në kuadrin e goditjes së kokave, dhe sekuestrimit të aseteve, ka shumë akoma për të bërë” tha zoti Rama. “Objektivi i parë themelor duhet të jetë pastrimi i territorit nga kriminelët dhe pastaj bimët, jo bimët e pastaj shohim e bëjmë për kriminelët” nënvizoi ai.
Bashkëpunimin mes policisë dhe komunitetit, kryeministri e konsideroi si shumë të rëndësishëm për konsolidimin e luftës kundër kanabisit, ndërsa vuri theksin tek bashkëpunimi mes insitutcioneve për krijimin e alternativave të punësimit për viktimat e prekura nga ky fenomen.