Kryeministri Edi Rama tha se raporti i OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 25 qershorit në Shqipëri, evidentoi raste të blerjes së votës, por sipas tij këto shkelje të ligjit janë konstatuar nga policia.
Shefi i mazhorancës që fitoi zgjedhjet me 74 mandate, tha se nëse edhe drejtësia do t’i dënojë personat e arrestuar nga policia, “atëherë do të merret mësimi edhe për ata që mund të jenë përfshirë në këtë proces dhe nuk janë kapur me presh në duar”.
Me këtë deklaratë, vetë kryeministri pranon se policia nuk i ka evidentuar dot të gjitha rastet e blerjes dhe të shitjes së votës. Pra, OSBE ODIHR nuk ka folur vetëm për atë se çfarë u raportua zyrtarisht nga policia, por pë një shqetësim më të gjerë që pati edhe vetë politika vendase.
Kryefjalë e zgjedhjeve të 25 qershorit, që për herë të parë u vlerësuan si të qeta, edhe nga ndërkombëtarët edhe nga forcat politike në Shqipëri, veçanërisht LSI-ja,. Ishte vjedhja që po i bëhej votës së shqiptarëve në këmbim të parave dhe ushqimeve.
“Raporti i ODIHR s’tha gjë tjetër përveç shqetësimit real për rastet e konstatuara dhe të goditura nga policia e shtetit. Për herë të parë kemi goditje për blerje votash. Dhe jam i bindur që nëse do shkojnë gjërat në proces gjyqësor dhe ata që janë ndaluar do dënohen mësimi do të merret edhe për ata që mund të jenë përfshirë në këtë proces dhe nuk janë kapur me presh në duar”, u shpreh kryeministri në një intervistë për Top Story.