Ish-kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili ka ironizuar kryeministrin Edi Rama për deklaratën e tij të sotme kur i kërkoi dorëheqjen të gjithë drejtuesve të Hipotekave në Shqipëri me argumentin se nuk e kanë bërë punën sic duhet në shërbim të qytetarëve.

“Kryeministri ka qenë në emigracion për katër vjet. Tani u kthye dhe po njihet me Atdheun dhe qeverisjen e dështuar të kryeministrit Rama. Ka të drejtë në fakt Kryeministri që është mërzitur sepse kryeministri Rama s’ka zënë punë me dorë, por vetëm muhabete ka bërë. Ndaj punë të mbarë kryeministrit të sapo kthyer në Shqipëri, që po demaskon pa mëshirë dështimin e padëgjuar të kryeministrit Rama”, shkruan Vasili në një status në rrjetin social Facebook.

Gjatë ditës së sotme Rama mblodhi në kryeministri drejtuesit e Hipotekave dhe i la atyre 24 orë kohë për tu dorëhequr duke lajmëruar ngritjen e një komisioni që do të vë në sitë punën e tyre. Në rast të abuzimeve ata do të ndiqen penalisht.