Kryeministri Edi Rama i ka inkurajuar qytetarët që të denoncojnë punonjësit e korruptuar të administratës, pa kompleksin se bëhen ‘spiunë’.
Në dëgjesën publike në Lezhë pasditen e sotme, ai tregoi se kishte komunikuar një qytetar nga Shkodra, i cili i kishte rrëfyer, sipas Ramës, se në spitalin e qytetit kishte paguar punonjës për të marrë shërbim.
“I thashë: Sot do nisem për Shkodër, eja me mua në spital dhe mi trego”, vijoi Rama rrëfimin e tij.
Por, sipas kryeministrit, përgjigjja e denoncuesit ishte: Po ta bëj atë nuk duhet të jetoj më në Shkodër.
“Kishte frikë mos bëhej spiun, aaaa, kështu nuk bëhet”, tha Rama, duke shtuar se në vendet e zhvilluara kjo nuk ndodh dhe njerëzit nuk i kanë këto komplekse.
Shteti mund të bëhet përmes bashkëpunimit me qytetarët, vijoi ai.