Kryeministri Edi Rama, gjatë një interviste për televizionin francez ‘France 24’, ka folur për situatën ekonomike në Shqipëri, kanabizimin, Reformën në Drejtësi dhe integrimin në BE.

Ai ka pranuar se Shqipëria vijon të mbetet e varfër, ndërsa ka shtuar se n fund të vitit historia e kanabisit do të marrë fund.

Ndërkohë ka theksuar se Shqipëria është gati për të hapur negociatat për tu anëtarësuar në BE.

“Këtë vit kemi patur një kthesë të fortë për kultivimin e kanabisit. Ne kemi pasur një ulje dramatike. Kam besim të plotë që në fund të vitit kultivimi i kanabisit ka për të qenë histori. Mund të jemi të dobët ekonomikisht por nuk po vdesim urie. Jemi të varfër si vendet e rajonit.

Kemi pasur rritje 3%. Kemi besim se do shkojë 5 %. Kemi pasur mbështetje nga emigrantët. Le të themi që shteti shqiptar nuk është i pasur, shqiptarët janë të varfër por jo aq sa mund të thonë shifrat, pasi ka para që vijnë nga emigracioni dhe është edhe ekonomia informale”, tha Rama.