Njëjtë siç bëri me drejtuesit e Hipotekave, kryeministri Edi Rama veproi edhe me drejtorët e spitaleve në Shqipëri.

Ai i thirri në një takim në kryeministri, për t’i deklaruar se janë të larguar nga puna. Rama tha se niveli i menaxhimit të spitaleve lë për të dëshiruar, është i papranueshëm dhe se shërbimi ndaj qytetarëve nuk ka qenë aty ku duhet.

“Shëndetësia kërkon menaxhim dhe të gjitha të dhënat e marrra qoftë në mënyrë zyrtare qoftë nga ankesat e publikut flasin për një nivel menaxhimi të papranueshëm.  Besoj se një nga shkaqet themelore edhe për një dozë të madhe negativiteti me të cilin është ngarkuar figura mjekut vjen nga keqmenaxhimi i spitaleve, është detyra menaxhimit që të motivojë mjekët ” u shpreh Rama.

Rama tha se do të ketë ristrukturim tërësor të organizimit në territor të institucioneve të shëndetit publik.

“Largimi i të gjithë drejtuesve aktualë të spitaleve e të institucioneve të shëndetit publik, dhe afirmim i një profili të ri drejtuesi menaxher në shërbimin spitalor përmes konkurseve publike për çdo drejtori spitali dhe institucion të shëndetit publik në Republikën e Shqipërisë”, tha  Rama.

“Asgjë nuk e justifikon dhe asgjë nuk e kapërcen dot ndjenjën e turpit për shtetin që spitalet të mos jenë shembuj pastërtie dhe higjiene. Kjo është A-ja për çdo mjedis të shërbimit publik. Dhe për spitale kjo është A-ja me e madhe. Përgjegjësinë për këtë e kanë drejtorët e spitaleve. Drejtorët e spitaleve pis dhe mjediset e spitaleve pis”, u shpreh kryeministri.