I ashtuquajturi Shtetit Islamik po rekruton gjithnjë e më shumë femra nga Gjermania, në mesin e tyre vajza gjermane të konvertuara në fenë islame

Gjithnjë e më tepër vajza nga Gjermania shkojnë në zonat e luftës në Irak dhe Siri, për t’u bashkuar me organizata terroriste të njohur si Shteti Islamik. Një ndër pesë nga personat që kanë shkuar në këto zona janë femra.

Autoritetet gjermane kanë rifilluar hetimet në lidhje me një vajzë 16-vjeçare, Linda W., e cila kishte shkuar një vit më parë në Turqi me qëllimin për shkuar nga atje në Siri apo Irak, por që më pas gjurmët e saj kishin humbur. 16-vjeçarja u arrestua së fundi në Mosul të Irakut dhe prokuroria e ka hapur sërish çështjen e saj për lidhje me organizata që synojnë vepra penale që rrezikojnë shtetin.

Rasti i 16-vjeçares Linda W. hedh dritë mbi radikalizimin e vajzave nga Gjermania. Zyra Këshillimore për Radikalizimin e Entit Federal për Migracionin dhe Refugjatët njofton prej disa muajsh për një rritje të fortë të numrit të konsultimeve në të cilat bëhet fjalë për synimin për t’i nxitur vajzat përmes fesë që të radikalizohen.

Michael Kiefer nga Instituti i Teologjisë Islame në Universitetin Osnabrück thotë se ndër vajzat që janë radikalizuar ka pasur edhe 13-vjeçare. Kufiri i moshës së rasteve të radikalizimit po ulet gjithnjë e më tej. Dhe, ndryshe nga djemtë të cilët shpesh provokojnë dhe janë konfrontues, radikalizimi i vajzave bëhet pa bujë dhe në heshtje. Kiefer këtë e quan “radikalizim në dhomat e fëmijëve”. /DW/