Falë rolit të Turqisë dhe përpjekjeve të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, situata në Siri shkon drejt përmirësimit, deklaroi sot në Hamburg presidenti rus Vladimir Putin, ku në kuadër të Samitit G20 u takua me homologun e tij turk, raporton Anadolu Agency (AA).

Takimi dypalësh midis Putin dhe Erdoğan në kuadër të Samitit G20 zgjati rreth një orë ndërsa u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe, situatën në Siri dhe luftën kundër terrorizmit.

Putin pas takimit theksoi se falë përpjekjeve në vitet e fundit, marrëdhëniet turko-ruse janë në një nivel të rëndësishëm.

“Janë zgjidhur shumë probleme në fushat me interes të vendeve tona”, tha Putin.

Presidenti rus gjithashtu theksoi se situata në Siri po shkon drejt përmirësimit, falë rolit të Turqisë dhe përpjekjeve të presidentit turk Erdoğan.

“Falë rolit të Turqisë, situata në Siri po shkon drejt përmirësimit. Gjithashtu janë bërë hapa të mëdha kur bëhet fjalë për luftën kundër terrorizmit”, tha Putin.

Në takimin Erdoğan-Putin nga delegacioni turk morën pjesë edhe zv/kryeministri Mehmet Şimşek, ministri i Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu, ministri i Ekonomisë Nihat Zeybekci, ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Berat Albayrak dhe zëdhënësi i Presidencës turke İbrahim Kalın.

Ndërsa nga pala ruse morën pjesë ministri i Jashtëm Sergej Lavrov, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, këshilltari i Kremlinit për Politikë të Jashtme, Jurij Ushakov, ministri i Energjetikës, Aleksandër Novak dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Maksim Oreshkin.