Presidenti rus Vladimir Putin njoftoi të dielën se 755 diplomatë amerikanë do të dëbohen nga Rusia deri më 1 shtator. Dëbimi i diplomatëve pason sanksionet e miratuara nga Kongresi amerikan kundër Rusisë javën e kaluar.

Përgjigja e Rusisë pritet t’i acarojë më tej tensionet mes Moskës e Uashingtonit. Megjithëse dëbimi i diplomatëve amerikanë ishte njoftuar që të premten, numri i tyre u bë i ditur sot gjatë një interviste të presidentit Putin me televizionin Rossiya 1, raporton Zëri i Amerikës.

Zoti Putin tha se Rusia mund të shqyrtojë në të ardhmen masa të tjera shtesë kundër Shteteve të Bashkuara si përgjigje ndaj sanksioneve amerikane.

Sanksionet e Uashingtonit ndaj Rusisë ishin pjesërisht për shkak të ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, një përfundim i arritur nga agjencitë amerikane të zbulimit, si dhe për ndëshkuar më tej Rusinë për aneksimin e Krimesë në vitin 2014.

Moska tha të premten se Shtetet e Bashkuara kanë afat deri më 1 shtator për të pakësuar personelin diplomatik duke lënë në Rusi vetëm 455 vetë, një numër i barabartë me dipomatët rusë që shërbejnë në Shtetet e Bashkuara. Në dhjetor Uashingtoni dëboi 35 diplomatë rusë.

Të premten një zytar i ambasadës amerikane, që nuk pranoi të identifikohej, tha se ambasada punëson rreth 1100 diplomatë dhe personel mbështetës rus, përfshirë shtetas amerikanë dhe rusë.