Pas Manchester City dhe Bayern Munih një tjetër skuadër “big” e Evropës ka hyrë në lojë për të marrë sulmuesin kilian Alexis Sanchez, pas deklaratës së këtij të fundit se synon të luajë në Champions League sezonin e ardhshëm, mundësi që nuk ia ofron dot skuadra e tij e Arsenal.

Mediat britanike raportojnë sot se PSG kërkon të lëvizë shpejt dhe në heshtje për të marrë lojtarin. Sanchez i skadon kontrata verën e ardhshme dhe Arsenal rrezikon t’i ikë lojtari me koston zero, ndaj synon rivnovimin e kontratës, që vonon të vijë.

“The Mirror” ka bërë me dije sot se drejtuesit e PSG kanë zhvilluar një takim me menaxherin e lojtarit, që ka konfirmuar interesimin e skuadrës franceze. Edhe “Le Parisien” e konfirmon këtë takim, duke shtuar se palët mund të avancojnë shumë shpejt drejt një përfundimi, duke i garantuar gjithçka sulmuesin kilian. PSG kërkon të mbyllë sa më shpejt këtë marrëveshje, për të evituar konkurrencën e fortë të Manchester City dhe Bayern Mynih, që gjithashtu kanë konfirmuar interesimin e tyre për Alexis Sanchez, gjithnjë e më larg “topçinjve”.