Ndërsa policia në Hamburg rrit masat e sigurisë për samitin e G20, autoritetet shmangën një problem për të cilin zor se ishin përgatitur.

1000 “zombi” gri dolën shëtitje në qytet, por fatmirësisht bëhej fjalë për një formë artistike proteste. 1000 të vdekurit e pakallur ishin pjesë e një shfaqje të titulluar 1000 figurat dhe ata përbënin një kritikë ndaj samitit të G20, liderëve që do të marrin pjesë, por edhe politikës në përgjithësi.

Sipas organizatorëve, pjesëmarrësve dhe spektatorëve politika, por edhe një pjesë e njerëzve, janë bërë të ngurtë në mendime dhe kjo protestë artistike synon të tregojë se kushdo mund të çlirohet nga ky burg pa mure e hekura, mjafton të ketë vullnetin për ta bërë.

“Qëllimi i performancës sonë është që të ngacmojmë njerëzit, ti motivojmë që të angazhohen politikisht. Ne besojmë tek fuqia e imazheve dhe këtë duam të krijojmë. Ne duam që të nxisim njerëzit të çlirohen nga guaskat ku janë futur dhe të marrin pjesë në procesin politik”, shprehet Catalina Lopez, organizatore e shfaqjes.

Pasi kaluan përmes qytetit të mbuluar nga argjila gri, 1 000 zombit u çliruan nga guaska e tyre duke i hapur rrugën një festivali ngjyrash dhe zhurmash për të përfaqësuar një zgjim të gëzueshëm, një nga mesazhet e protestës unike.