Prokurori publik shtetëror Marko Zvërlevski, për shkarkimin e të cilit debatohet në Kuvend në kërkesë të LSDM-së, pasdite pati fjalim para deputetëve tha se për shkak të fushatave negative që zhvillohen kundër tij në media, është i vetëdijshëm se edhe me të do të ndodhë ajo që ua ka ndodhur paraardhësve të tij prokurorë publikë të cilët janë shkarkuar për shkak të jo profesionalizmit dhe jo aftësisë.

“Asnjëri prej tyre nuk ishte joprofesionist dhe jo i aftë , ashtu edhe ju nëse më shkarkoni si joprofesionist dhe i paaftë aspak nuk do të më godasë. Në rastin më të vogël do të jem në radhën e më të mirëve. Me ndërgjegje të pastër, para jush këtu dhe para opinionit të Maqedonisë, ju siguroj se në katër vitet e fundit kam punuar me përgjegjësi dhe me ndërgjegje, vetëm në bazë të ligjit, Kushtetutës dhe rregullave në Prokurorinë publike. Në opinion jam i njohur se nuk kam lidhje me politikën dhe se jam quajtur prokuror i mirë, kështu që nuk kam eprorë partiakë dhe kështu me sakrifikimin nuk do të fillojnë reformat, e as të kthehet besimi në gjyqësi ose prokurori publike. Mbetet tek ju për të vlerësuar”, iu porositi deputetëve.

Në lidhje me sqarimin e kërkesës për shkarkimin e tij dhe për lëshimet për të cilat e akuzojnë, Zvërlevski tha se Prokurori Publik i RM-së nuk ka obligim të ngrejë procedurë penale, të ndërpresë procedura dhe të vendosë se nuk do të shkelen procedurat dhe se prokurorët themelorë publikë janë të pavarur në veprimin e tyre dhe ata vendosin.

“Askush nuk mundet me ligj të ndikojë në punën e tyre. Çdo ndikim, por edhe pranimi i ndikimit tregon se është bërë keqpërdorim i pozitës zyrtare. Prokurori publik i RM-së Marko Zvërlevski nuk ka ndikuar te askush për të ngritur ose të mos ngrejë procedurë. Prokurori publik i RM-së nuk propozon, nuk shkarkon dhe nuk zgjedh prokurorë publikë. Me këtë është larguar edhe mundësia e parashikuar që të ndikojë te prokurorët publikë. Atë që them se nuk ngriti procedurë nuk do të thotë se në raste të caktuara në dobi të qytetarëve, raste të caktuara të rëndësishme nuk jam i njoftuar me rastet – absolutisht kam qenë në vijim me të gjitha rastet e rëndësishme”, theksoi Zvërlevski.

U përgjigj për rastet e përmendura dhe tha se nuk ka pasur veprim të gabuar për “Aktor”, për të cilin, siç tha, ende nuk është kryer procedura e cila zhvillohet një kohë më të gjatë dhe në të cilën janë marrë në pyetje qindra dëshmitarë dhe janë grumbulluar shumë dëshmi materiale të cilat janë këmbyer me Agjencinë evropiane për përballje me hetime financiare.

Nuk ka, tha Zvërlevski, kurrfarë veprimi të gabuar në rastet “Banka e Maqedonisë”, sepse janë marrë në pyetje dëshmitarë dhe është marrë tërë dokumentacioni për transaksionet financiare për blerjen e aksioneve, ndërsa vendimi është se nuk ka dëshmi.

“Kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë me rastin ‘Sead Koçan’ është absolutisht e ligjshme dhe e arsyeshme. Këtë e pranuan edhe profesorët, e kontestuan vetëm formën. Prokurori publik nuk kërkoi heqje të paraburgimit. Prokurori publik kërkoi vetëm të largohen parregullsitë në veprimin dhe në aktgjykimin e shkallës së parë dhe të shkallës së dytë. Për rastin ’27 prilli’, në mënyrë të hapur dhe saktë është hapur hetim për hulumtimin e të gjitha rrethanave. Të gjitha urdhrat nga ana e prokurorit janë dhënë në kohë për zbulimin e të gjitha veprimeve. Hetimi nuk është ndaluar dhe zhvillohet në mënyrë të kompletuar dhe profesionale dhe në varësi të MPB-së. Prokuroria publike është organ i përndjekjes. Atë që do të zbulojë MPB-ja, Prokuroria publike me siguri se do ta procesojë”, tha Zvërlevski.

Lidhur me publikimin e xhirimeve nga masat e posaçme hetuese për disa raste tha se është realizuar hetim fillimisht në vetë prokurorinë. “Atë që mund t’ua them tani është se me siguri është konfirmuar vetëm një gjë – se kjo nuk rrjedh nga PP e RM-së. Hetimi është në duart e MPB-së”, shtoi Zvërlevski.

Mendimin e Këshillit të Këshillit të prokurorëve publikë si aneks ndaj propozimit të Qeverisë për shkarkim të tij, Zvërlevski e quajti “precedent të posaçëm”, sepse Këshilli nuk e ka shpjeguar bazën e mendimit të tillë, ndërsa për katër vite pozitivisht i ka vlerësuar të gjithë raportet për punën e prokurorëve publikë.

Zvërlevski për veten tha se është pothuajse 30 vite në Prokurorinë Publike dhe me profesionalizëm dhe me sukses ka përfunduar qindra lëndë nga çfarëdo lloj dhe karakter, ndërsa si menaxher i institucionit është përpjekur që ta përmirësojë statusin financiar dhe profesional të prokurorëve publikë dhe të punësuarve të tjerë në Prokurorinë Publike. Madje theksoi se kur ka ardhur në këtë funksion, në PP të RM-së nuk ka pasur as telefona celularë dhe kompjuterë zyrtarë.

Pas fjalimit të Zvërlevskit, koordinatori Antonio Milloshoski kërkoi një orë pauzë që ta marrin stenogramin nga fjalimi i prokurorit publik.

Paraprakisht deputetët e VMRO-DPMNE-së vlerësuan se qëllimi i kërkesës së LSDM-së për shkarkim të Marko Zvërlevskit është revanshizmi i liderit të tyre dhe kryeministrit Zoran Zaev sepse prokurori publik kundër tij i ka ngritur aktakuzat për lëndët Puç dhe Ryshfet. Konsiderojnë se po bëhet hajkë politike që zaevi të shpëtojë nga përndjekja penale.

Fjalimi në të cilin zëvendësministri i Drejtësisë Oliver Ristovski i elaboroi arsyet për shkarkim, sipas deputetëve të opozitës krahas asaj që ishte shumë shkurtër, nuk ka pasur bazë juridike, dëshmi, argumente dhe fakte, por floskula të zbrazëta dhe konstatime subjektive.

Ata i hodhën poshtë kualifikimet për joprofesionalizëm të prokurorit, duke theksuar se profesionalizmin e tij e konfirmojnë edhe raportet për vitet 2013, 2014 dhe 2015 për punën e prokurorive publike të cilët kanë treguar vëllim të rritur të padive dhe hetimeve të zgjidhura për vepra penale. Sipas deputetëve të VMRO-DPMNE-së, me kërkesë të paargumentuar për shkarkim ia rrënojnë integritetin Zvërlevskit si prokuror publik shumëvjeçar.